Të paktën 21 palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite në Gazë
- Të paktën 21 palestinezë ishin vrarë në sulmet ajrore dhe artilerike izraelite në Rripin e Gazës të dielën, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Hamasi.
- Post By Fitore Curri
- 12:13, 26 qershor, 2025
Gazë, 26 qershor 2025 (MIA) – Të paktën 21 palestinezë ishin vrarë në sulmet ajrore dhe artilerike izraelite në Rripin e Gazës të dielën, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Hamasi.
Nëntë persona ishin vrarë në një sulm izraelit ndaj një shkolle në lagjen Sheik Radvan në Gazë, ku ishin strehuar familje të zhvendosura, përderisa nëntë të tjerë ishin vrarë në afërsi të një kampi me tenda në Kan Junis, në jug të enklavës.
Tre persona ishin vrarë, ndërsa dhjetëra të tjerë ishin plagosur derisa prisnin ndihmë humanitare në rrugën kryesore në Gazën qendrore, njoftuan burime shëndetësore lokale.
Ushtria izraelite nuk i komentoi raportet për viktima civile.
Ndërmjetësuesit arabë Egjipti dhe Katari, të mbështetur nga SHBA-ja, e rinovuan kontaktin me palët e luftës me qëllim që të vazhdojnë bisedat për armëpushim, njoftuan burime të afërta me Hamasin, por nuk është publikuar data e saktë për raundin e ri të bisedimeve.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se lufta do të përfundojë vetëm kur Hamasi do t’i lirojë të gjitha pengjet, do të heqë dorë nga çfarëdo lloj roli politik në Gazë dhe do t’i dorëzojë armët.
Hamasi thotë se është i gatshëm për shkëmbim të të burgosurve në këmbim për armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza.
Grupi sinjalizoi se më nuk planifikon të menaxhojë me territorin, por e hodhi poshtë mundësinë për çarmatosje. fc/