Të paktën 20 udhëheqës do të marrin pjesë në samitin paqësor për Gazën në Egjipt
- Udhëheqësit botëror nga më shumë se 20 vende do të marrin pjesë në samitin e caktuar për nesër në pushimore Sharm el-Sheik, me qëllim që t'i jepet fund luftës në Rripin e Gazës, kumtoi presidenca e Egjiptit.
- Post By Sara Ademi
- 12:40, 12 tetor, 2025
Kajro, 12 tetor 2025 (MIA) - Udhëheqësit botëror nga më shumë se 20 vende do të marrin pjesë në samitin e caktuar për nesër në pushimore Sharm el-Sheik, me qëllim që t'i jepet fund luftës në Rripin e Gazës, kumtoi presidenca e Egjiptit.
Takimi mbahet pasi paraprakisht këtë javë u arrit armëpushimi dhe marrëveshja për lirimin e pengjeve mes Izraelit dhe grupit palestinez Hamas, në kuadër të planit paqësor të SHBA-së.
Presidenti amerikan Donald Tramp dhe presidenti egjiptian Abdel-Fatah el-Sisi do të bashkëkryesojnë me mbledhjen, e cila zyrtarisht është quajtur si "Samiti paqësor në Sharm el-Sheik", qëndron në kumtesën e presidencës të publikuar mbrëmë vonë.
Samiti ka për qëllim ti japë fund luftës në Rripin e Gazës dhe t'i përforcojë përpjekjet për arritjen e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme, citohet në kumtesë.
Emrat e të pranishmëve zyrtarisht nuk janë publikuar.
Presidenti francez Emanuel Makron dhe sekretari i përgjithshëm i KB-së, Antonio Guteresh tashmë konfirmuan praninë e tyre, transmetoi DPA.
Kryeministri britanik Kir Starmer gjithashtu do të marrë pjesë, publikoi agjencia gazetareske britanike PA, duke iu referuar burimeve qeveritare.
Kancelari gjerman Fridrih Merc mori ftesë për të marrë pjesë, siaps burimeve qeveritare.
Disa media njoftuan se në samit do të marrin pjesë edhe presidenti turk, kryeministrat e Spanjës dhe Pakistanit, si dhe monarku i Bahreinit.
Trampi ka shprehur tashmë interes të udhëtojë në Egjipt në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes paqësore për Gazën, pas vizitës së tij në Izrael.
Armëpushimi – i cili shënon hapin e parë në një plan për t’i dhënë fund plotësisht luftës dyvjeçare shkatërruese midis Izraelit dhe Hamasit – hyri në fuqi të premten.
Marrëveshja kërkon lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura në Rripin e Gazës dhe tërheqjen e forcave izraelite në një vijë të dakorduar reciprokisht në territorin bregdetar. sa/
Foto: EPA