Të paktën 13 të vdekur në përmbytjet në Vietnamin Qendror, vazhdojnë operacionet e shpëtimit
- Të paktën 13 persona kanë vdekur, 11 janë të zhdukur dhe dhjetëra mijëra janë evakuuar për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut në Vietnamin Qendror, të shkaktuara nga reshjet rekorde që zgjatën për disa ditë.
- Post By Sara Ademi
- 18:44, 31 tetor, 2025
Hanoi, 31 tetor 2025 (MIA) - Të paktën 13 persona kanë vdekur, 11 janë të zhdukur dhe dhjetëra mijëra janë evakuuar për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut në Vietnamin Qendror, të shkaktuara nga reshjet rekorde që zgjatën për disa ditë.
Operacionet e shpëtimit u përshpejtuan sot ndërsa ujërat e përmbytjeve filluan të tërhiqeshin, duke u mundësuar ekipeve të specializuara të arrinin në disa zona të izoluara. Gati 26,000 njerëz u evakuuan nga zonat e goditura rëndë dhe zonat e prirura për rrëshqitje dheu.
Qeveria vietnameze ka dërguar helikopterë dhe ushtarë për të shpërndarë ushqim, ilaçe dhe furnizime të tjera për viktimat e përmbytjeve. Shtëpitë po riparohen, rrënojat po pastrohen dhe po merren masa shtesë për të parandaluar një tjetër katastrofë. Puna vazhdon për rindërtimin e rrugëve dhe linjave të energjisë, si dhe bëhen riparime në ndërtesat shkollore. Pako me oriz janë planifikuar të shpërndahen nesër.
Shërbimet hekurudhore rifilluan sot në linjën kryesore hekurudhore midis Hanoit dhe Hoshimin, pasi ishin të mbyllura për tre ditë. Qindra punonjës hekurudhorë punuan gjithë natën për të riparuar pjesët e dëmtuara dhe për të përforcuar binaret.
Situata në qytetet bregdetare të goditura rëndë Hue dhe Danang po përmirësohet tashmë, por atje ka ende shumë zona të përmbytura dhe pritet që niveli i lartë i ujërave të vazhdojë për dy ditët e ardhshme.
Që nga fillimi i shirave të rrëmbyeshëm më 26 tetor, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut kanë dëmtuar mijëra shtëpi dhe kanë shkatërruar infrastrukturën në të gjithë rajonin. Sipas shifrave zyrtare, rreth 120,000 shtëpi në Vietnamin Qendror janë përmbytur, 56 janë shkatërruar plotësisht dhe 147 janë dëmtuar rëndë.
Të martën, Hue regjistroi një sasi rekord të reshjeve prej 1,085 milimetrash në 24 orë. Kjo është sasia më e lartë e reshjeve në një ditë të vetme e regjistruar ndonjëherë në Vietnam.
Kryeministri vietnamez, Fam Min Çin, urdhëroi masa urgjente për të riparuar dëmet dhe për të siguruar që të gjithë personat e prekur të kenë ushqim dhe strehim.
Shërbimi meteorologjik i Vietnamit tha se stuhitë shkatërruese u shkaktuan nga një përplasje midis masave të ftohta të ajrit nga veriu dhe masave të ngrohta e të lagështa të ajrit që vinin nga deti. Meteorologët paralajmëruan se reshjet e dendura të shiut në disa zona të Vietnamit qendror mund të vazhdojnë deri më 4 nëntor, ndërsa në disa zona pritet të bien më shumë se 700 milimetra shi. sa/
foto: DPA