Të gjitha anëtaret e Këshillit të Sigurimit të KB-së, përveç SHBA-së, kanë bërë thirrje për një armëpushim urgjent në Gazë
- Të gjitha anëtaret e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përveç SHBA-së, në një konferencë për shtyp kanë kërkuar armëpushim urgjent në Gazë dhe shprehën shqetësim për urinë e "shkaktuar qëllimisht" në enklavën palestineze.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 11:43, 28 gusht, 2025
Nju Jork, 28 gusht 2025 (MIA) - Të gjitha anëtaret e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përveç SHBA-së, në një konferencë për shtyp kanë kërkuar armëpushim urgjent në Gazë dhe shprehën shqetësim për urinë e "shkaktuar qëllimisht" në enklavën palestineze.
"Shprehim shqetësim të thellë për të dhënat mbi urinë në Gazë, deklaroi zëvendëspërfaqësuesi i përhershëm i Gujanës në KB, Trishal Perso, dhe theksoi se kjo është "hera e parë që uria konfirmohet zyrtarisht në rajonin e Lindjes së Mesme dhe se çdo ditë më shumë njerëz po vdesin nga kequshqyerja, kryesisht fëmijë", raportoi Si-En-En-i.
Në podium u bashkuan përfaqësues nga Sllovenia, Algjeria, Kina, Danimarka, Franca, Greqia, Pakistani, Panamaja, Koreja e Jugut, Rusia, Sierra Leone, Somalia dhe Britania e Madhe.
"Kjo është një krizë e shkaktuar nga njeriu, megjithëse përdorimi i urisë si armë lufte është rreptësisht i ndaluar nga e drejta ndërkombëtare humanitare", tha Perso.
Zëvendëspërfaqësuesja e përhershme nga Sllovenia, Ondina Drobiq, shtoi se ata bëjnë thirrje për një armëpushim në Gazë dhe lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura, që Izraeli të hapë Gazën për ndihmë humanitare dhe që të heqë dorë nga planet për invadim dhe pushtim të Gazës.
"Kriza humanitare duhet të zgjidhet pa shtyrje dhe Izraeli duhet të ndryshojë kursin, tha Drobiq.
Foto: Arkivi i MIA-s