• e premte, 05 dhjetor 2025

Të gjithë 133 kardinalët arritën në Romë për konklavën për zgjedhje të Papës së re

Të gjithë 133 kardinalët arritën në Romë për konklavën për zgjedhje të Papës së re

Romë, 5 maj 2025 (MIA) - Vatikani kumtoi se të gjithë 133 kardinalët nën moshën 80 vjeçare, të cilët kanë të drejtë të marrin pjesë në zgjedhjen e Papës së ri, kanë arritur në Romë përpara konklavës që fillon të mërkurën.

Kardinalët do të mblidhen në Kapellën Sistina në orën 16:30, për të filluar votimin, i cili do të vazhdojë derisa njëri prej tyre të marrë dy të tretat e shumicës dhe të bëhet lideri i ri i 1,4 miliardë katolikëve në botë.

Kardinalët janë vendosur në rezidencën Santa Marta, ku ka jetuar Papa Françesku i ndjerë, i cili vdiq në moshën 88-vjeçare. Vatikani kumtoi se gjatë konklavës, kardinalët duhet të dorëzojnë telefonat e tyre, ndërsa kuzhina në Santa Marta do të përgatisë vetëm ushqime të lehta.

Votimi është i fshehtë dhe një shumicë prej dy të tretash nevojitet për të zgjedhur pasardhësin e Françeskut, një proces që mund të zgjasë disa ditë apo edhe javë. Konklava më e gjatë në historinë e fundit u zhvillua në vitin 1831, kur Papa Gërguri XVI u zgjodh pas më shumë se 50 ditësh, ndërsa më e gjata në shekullin e 20-të zgjati pesë ditë, kur Piu XI u zgjodh në vitin 1922. Dy konklavat e fundit, në vitin 2005 dhe në vitin 2013, zgjatën dy ditë secila, pas çka Benedikti XVI u zgjodh në raundin e katërt, ndërsa Françesku në raundin e pestë të votimit.

Pas çdo dy rrethesh votimi në kapellën Sistina, fletët e votimit të kardinalëve digjen në një furrë të veçantë për të zbuluar rezultatin e votimit para botës së jashtme. Nëse pas votimit nuk zgjidhet papë, fletët e votimit përzihen me fishekë që përmbajnë perklorat kaliumi, antracen (një përbërës i katranit të qymyrit) dhe squfur, për të prodhuar tym të zi. Kur, megjithatë,  votimi përcakton një fitues, fletët e votimit përzihen me klorat kaliumi, laktozë dhe kloroform për të dalë tym i bardhë.

Pas votimit të suksesshëm, Papa i sapozgjedhur pyetet nëse e pranon detyrën dhe cilin emri do të zgjedh. Një kardinal i lartë më pas del në ballkonin e bazilikës Shën Pjetri dhe shpall "Habemus Papam" (Kemi Papë), pas çka Papa i ri bekon njerëzit e mbledhur. rq/bsh/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR