• e hënë, 23 dhjetor 2024

Të dëmtuarit, prindërit dhe familjarët e viktimave në rastin e Llaskarcës kërkuan dënim më të ashpër për të akuzuarit

Të dëmtuarit, prindërit dhe familjarët e viktimave në rastin e Llaskarcës kërkuan dënim më të ashpër për të akuzuarit

Shkup, 14 dhjetor 2023 (MIA) - Të dëmtuarit, prindërit dhe familjarët e viktimave në aksidentin e trafikut në Llaskarcë sot në Gjykatën Themelore Penale Shkup, në fjalën e tyre përfundimtare kërkuan aktvendim me dënim më të ashpër për gjashtë të akuzuarit.

Jasmina Mihajlovska, njëra nga të lënduarat në aksident ka kërkuar drejtësi për gjashtëmbëdhjetë personat që siç tha ajo, "nuk patën fatin të mbeten gjallë".

"Për shkak të aksidentit kam të thyer shtyllën kurrizore dhe nuk do të mund të eci kurrë normalisht. Fatmirësisht mbeta gjallë. Nëse jo për mua, për ato 16 shpirtra që nuk patën fatin tim, kërkoj që të dënohen të gjithë të gjashtë të akuzuarit", tha ajo. 

Bllagojçe Tërpevski, babai i Jovica Tërpevskit i cili humbi jetën në aksident kërkon dënim më të ashpër, siç tha ai, me qëllim që në të ardhmen të mos përsëriten tragjedi të tilla dhe brezat e ardhshëm të nxjerrin mësim. 

Sonja Avramovska, nëna e viktimës Boban Avramovski, gjithashtu kërkoi dënim më të ashpër. 

"Kërkoj për të gjithë gjashtë të akuzuarit të shqiptohet dënimi më i rëndë, duke pasur parasysh rrethanat rënduese të të gjashtëve me vepra të mëparshme penale. Me punën e tyre të paligjshme dhe të papërgjegjshme sollën një tragjedi të tillë. Jetën na e kanë kthyer në ferr në këto pesë vite dhe sa të jemi gjallë", tha ajo, duke shtuar se kërkon që të akuzuarve t'u ndalohet kryerja e veprimtarisë.

Aktakuzës iu bashkua edhe Sinisha Ristovski, vëllai i të ndjerit Dejan Ristovski, ku theksoi se faji është i të gjashtë të akuzuarve dhe kërkoi që ata të dënohen rëndë.

Më herët, Prokurori publik Darko Jakimovski sot kërkoi dënimin më të ashpër për të akuzuarit në rastin e Llaskarcës. Sipas tij, ka pasur pakujdesi në veprimet e të gjithë të akuzuarve dhe ishte vetëm çështje kohe se në çfarë baze, siç tha ai "kaosi i punës mund të kishte sjellë pasoja të tilla apo të ngjashme".

Në fjalët përfundimtare prokurori theksoi se dëshmitë e nxjerra gjatë diskutimit, jashtë dyshimit të arsyeshëm tregojnë se veprimet e të gjithë të akuzuarve janë në lidhje të drejtpërdrejtë me pasojën e cila rezultoi me 16 persona të vdekur. 

Fjalë përmbyllëse për momentin japin mbrojtësit e të pandehurit të parë, Durmish Beluli.

Të akuzuar për aksidentin në afërsi të Llaskarcës, që ndodhi më 13 shkurt 2019, janë Durmish Beluli, pronar i kompanisë "Durmo turs", përgjegjës për transportin në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski, të cilët akuzohen për kryerjen e veprave të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Ndërsa, tre punonjësit në stacionin e kontrollit teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski akuzohen për bashkëpjesëmarrje në të njëjtën vepër.

Sipas nenit 300 paragrafi 2 nga Kodi Penal për të cilin akuzohen të dyshuarit, dënimi me burg është së paku katër vjet. qa/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR