• e premte, 20 dhjetor 2024

Sveçla: Vuçiqi do të burgoset nëse tenton të hyjë pa leje në Kosovë

Sveçla: Vuçiqi do të burgoset nëse tenton të hyjë pa leje në Kosovë

Prishtinë, 30 qershor 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të burgoset nëse tenton të hyjë në Kosovë pa leje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës siç është e rregulluar me marrëveshjen mes dy vendeve, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Reagimi i Sveçlës, përmes një mesazhi në faqen e tij në Fejsbuk vjen pasi sot në komunat e veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe u shfaqën posterë me fotografinë e Vuçiqit dhe porosi në gjuhën serbe “Komandant suprem, të presim”.

Polici i parë i Kosovës tha se nëse Vuçiqi vjen pa kërkesë nga MPJ, ai do të arrestohet dhe do të dërgohet atje ku janë “disa nga miqtë e tij”.

"Gjatë natës kanë ngjitur fshehurazi disa posterë në veri të Kosovës. Thonë se presin të vijë presidenti i Serbisë duke e quajtur “komandant”. Nëse niset pa kërkesë të MPJ-së sonë, presim të vijë dhe pastaj mund ta vizitoni në burg, ku tashmë gjenden disa nga miqtë e tij”, ka shkruar Sveçla.

Posterët ku shihet Vuçiqi dhe pas tij pjesëtarë të ushtrisë serbe, u shfaqën mëngjesin e sotëm të ngjitur në ndërtesa, shtëpi, bare dhe hapësira publike në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës për rajonin verior, Veton Elshani deklaroi se organet kompetente kanë hapur rast për “shkaktim të urrejtjes”.

 

 

 

 
 
 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR