• e premte, 05 dhjetor 2025

Sveçla: Në 12 orët e fundit në Kosovë 41 zjarre, pesë ende janë aktive

Sveçla: Në 12 orët e fundit në Kosovë 41 zjarre, pesë ende janë aktive

Prishtinë, 28 korrik 2025 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal  Sveçla, sot deklaroi se Kosova në 12 orët e fundit, është përballur me 41 vatra zjarri, prej të cilave pesë mbesin ende aktive.

Ai në Fejsbuk ka shkruar se së bashku me zëvendësministrin, Blerim Gashani kanë vizituar Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, ku u takuan me drejtorin, Genc Metaj dhe menaxhmentin.

Ai gjatë vizitës në Agjencinë, tha se nga afër panë koordinimin e operacioneve në menaxhimin e zjarreve.

"Si Ministri e Punëve të Brendshme kemi mbështetur vazhdimisht forcimin e kapaciteteve të Agjencisë, përmes sigurimit të automjeteve të specializuara, pajisjeve operacionale, uniformave dhe rekrutimit të stafit shtesë, që ndihmon në menaxhimin efikas të situatave emergjente, tha Sveçla.

Ai paralajmëroi se mbështetja do të vazhdojë, në bashkëpunim të ngushtë me AME-n dhe me të gjitha komunat, në mënyrë që secila palë në përputhje me kompetencat, të kontribuojë në përballimin sa më të mirë të situatave në terren nga ekipet zjarrfikëse.

"Shpreh mirënjohjen time të thellë për menaxhmentin dhe për të gjithë zjarrfikësit tanë që përkundër temperaturave ekstreme dhe përhapjes së shpejtë të zjarreve, po punojnë pa u ndalur për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve tanë. Një falënderim i veçantë shkon edhe për qytetarët për raportimet dhe përkrahjen e dhënë në çdo formë ndaj zjarrfikësve tanë. Ritheksoj thirrjen për kujdes të shtuar nga qytetarët si dhe për bashkëpunim me institucionet e sigurisë si në raportimin e menjëhershëm, ashtu edhe në ofrimin e informatave të nevojshme në mënyrë që zjarrvëniet e qëllimshme të mos mbesin pa u ndëshkuar", ka shkruar ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Sveçla në Fejsbuk. bsh/

Foto: Sveçla në Fejsbuk

 

QËNDRONI TË LIDHUR