Sveçla: Koosva nuk është e rrezikuar, Serbia ka qëllime hegjemoniste
- Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një deklaratë pas debatit me temën “Roli i Inteligjencës Artificiale (IA) në Luftën Kundër Terrorizmit dhe Sigurisë Kombëtare” të organizuar nga Qendra Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit (ACCET), ka folur rreth kërcënimeve të Serbisë ndaj Kosovës.
- Post By Melahat Baftija
- 17:43, 15 tetor, 2024
Prishtinë, 15 tetpr 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, në një deklaratë pas debatit me temën “Roli i Inteligjencës Artificiale (IA) në Luftën Kundër Terrorizmit dhe Sigurisë Kombëtare” të organizuar nga Qendra Amerikane për Luftimin e Ekstremizmit dhe Terrorizmit (ACCET), ka folur rreth kërcënimeve të Serbisë ndaj Kosovës.
Duke komentuar mbi njoftimin e Policisë së Kosovës mbrëmjen e së hënës se katër pjesëtarë të xhandarmërisë serbe kanë qëndruar disa minuta në stacionin policor kufitar në Merdarë, duke shkelur marrëveshjen për Integrimin e Menaxhuar të Kufirit (IBM), ka thënë se kjo është dëshmi që Serbia nuk i respekton marrëveshjet.
“Nuk është hera e parë që ata bëjnë shkelje të kësaj marrëveshje, por shpresojmë të jetë e fundit. Ne patjetër që jemi të gatshëm për t’u ballafaquar me çdo shkelje të tyre dhe në të njëjtën kohë t’i prezantojmë para partnerëve tanë si dëshmi se si Serbia nuk është e gatshme për të bashkëpunuar pavarësisht marrëveshjeve të nënshkruara. Kosova është e kërcënuar nga aspiratat hegjemoniste të Serbisë, gjithë aparati i tyre shtetëror punon për të përmbushur qëllimet e tyre të cilat jo vetëm që janë të papranueshme për ne, por edhe kriminale në realitetin tonë… Unë jam i bindur që këto provokime do të dështojnë”, ka nënvizuar ndër të tjera ministri.
Ndryshe, në njoftimin policor është thënë se dje rreth orës 18:20, në stacionin policor kufitar në Merdarë është vërejtur një veturë e tipit “Land-Rover” me targa të Serbisë që dyshohet të jetë e xhandarmërisë serbe. Policia e Kosovës ka thënë se pjesëtarët e xhandarmërisë serbe kanë qëndruar aty për rreth 10 minuta. mb/