Sulme ajrore izraelite në Gazë: Të paktën 200 të vrarë, qindra të plagosur
- Të paktën 200 persona e kanë humbur jetën në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, njoftuan autoritetet shëndetësore palestineze, pasi herët në mëngjes u goditën dhjetëra caqe në enklavë, me çka iu dha fundi i përpjekjeve disajavore për vazhdimin e armëpushimit, i cili i ndërpreu luftimet në janar.
- Post By Qefsere Abduli
- 08:14, 18 mars, 2025

Gazë, 18 mars 2025 (MIA) - Të paktën 200 persona e kanë humbur jetën në sulmet ajrore izraelite në Rripin e Gazës, njoftuan autoritetet shëndetësore palestineze, pasi herët në mëngjes u goditën dhjetëra caqe në enklavë, me çka iu dha fundi i përpjekjeve disajavore për vazhdimin e armëpushimit, i cili i ndërpreu luftimet në janar.
Sipas raporteve, sulmet goditën më shumë vende të banuara, përfshirë pjesën veriore të Gazës, qytetin e Gazës, si dhe zonat Deir al-Bala, Kan Junis dhe Rafah në pjesën qendrore dhe jugore të enklavës.
Autoritetet shëndetësore në Gazë njoftuan se mes personave të vrarë, ka një numër të madh të fëmijëve.
Forcat izraelite të mbrojtjes deklaruan se kanë goditur dhjetëra caqe dhe paralajmëruan se sulmet do të vazhdojnë "për aq kohë sa të jetë e nevojshme" dhe nuk do të kufizohen vetëm në goditje ajrore, që tregon mundësinë për aktivizimin e operacioneve tokësore.
Sulmet ishin shumë më masive sesa sulmet e rregullta izraelite me dron, që kanë pasur objektiv militantët e dyshuar. Ky eskalim pasoi pas përpjekjeve të pasuksesshme për vazhdimin e armëpushimit të dakorduar më 19 janar.
Dhjetëra viktima dhe spitale të stërmbushura
Në spitalet në tërë Gazën, tashmë të mbingarkuara nga luftimet 15-mujore, kanë arritur dhjetëra viktima, ndërsa shumë trupa u vendosën në qese të përgjakura plastike.
Gjysmëhëna e Kuqe palestineze njoftoi se ekipet e tyre sollën 86 të vrarë dhe 134 të lënduar, por shumë të tjerë u dërguan në spitale me vetura private. Spitalet "Naser" në Kan Junis, "Al Aksa" në pjesën qendrore të Gazës dhe "Al Ali" në qytetin e Gazës kanë pranuar 85 viktima, ndërsa 16 persona nga një famije janë vrarë në sulmin në Rafah.
Izraeli akuzon "Hamasin", Shtëpia e Bardhë e mbështetë sulmin
Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë konfirmoi se numri i të vrarëve është të paktën 200.
Lëvizja palestineze "Hamas" ka akuzuar Izraelin për shkelje të armëpushimit dhe paralajmëroi se kjo e lë të pasigurt fatin e 59 pengjeve, që ende mbahen në Gazë.
Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu e ka akuzuar "Hamasin" për "refuzimin e vazhdueshëm për të liruar pengjet tanë" dhe për refuzimin e propozimeve të përfaqësuesit special të presidentit amerikan, Donald Trump për Lindjen e Mesme, Stiv Uitkof. "Nga tani e tutje, Izraeli do të veprojë kundër 'Hamasit' me fuqi të rritur ushtarake", thuhet në njoftim.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Izraeli është konsultuar me administratën e SHBA-së para sulmeve, të cilat, sipas, armatës izraelite, janë orientuar ndaj komandantëve dhe zyrtarëve të "Hamasit", si dhe ndaj infrastrukturës së tyre ushtarake.
"Hamasi ka mundur t'i lirojë pengjet për ta vazhduar armëpushimin, por në vend të kësaj zgjodhi refuzimin dhe luftën", deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Brajan Hjuz.
Ndërkohë, dëshmitarë në Gazë deklaruan se tanket izraelite granatuan pjesë të Rafas, duke detyruar shumë familje, të cilët u kthyen nëpër shtëpitë e tyre gjatë armëpushimit, përsëri të ikin drejtë veriut, drejt Kan Junisit. qa/bsh/
Foto: Arkivi EPA-s