• e premte, 20 dhjetor 2024

Suedia dhe Finlanda u bënë thirrje qytetarëve që të përgatiten për mundësinë për luftë

Suedia dhe Finlanda u bënë thirrje qytetarëve që të përgatiten për mundësinë për luftë

Stokholm, 18 nëntor 2024 (MIA) - Suedia sot filloi të dërgojë rreth pesë milionë pamflete për qytetarët e saj ku u bënë thirrje të përgatiten për mundësinë për luftë, ndërsa Finlanda fqinje hapi një portal të ri onlajn për t'u përgatitur për kriza të ndryshme.

Suedia dhe Finlanda u tërhoqën nga një mosangazhim ushtarak për një dekadë për t'u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s pas fillimit të invazionit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022.

Nga fillimi i luftës, Stokholmi vazhdimisht u ka bërë thirrje suedezëve që të përgatiten në mënyrë psikologjike dhe logjistike për mundësinë e luftës, duke theksuar situatën e rëndë të sigurisë në rrethinën e vendit.

Broshura "Nëse ka krizë apo luftë", dërguar nga Agjencia suedeze e emergjencave civile (MSB), përmban informacion se si të përgatitemi për situata emergjente si lufta, fatkeqësitë natyrore apo sulmet kibernetike. Bëhet fjalë për një version të ri të pamfletit që Suedia e ka nxjerrë pesë herë që nga Lufta e Dytë Botërore.

"Situata e sigurisë është serioze dhe të gjithë ne duhet të forcojmë qëndrueshmërinë tonë për t'u përballur me kriza të ndryshme dhe përfundimisht luftën", tha drejtori i MSB-së, Mikael Frizel në deklaratë.

Dokumenti prej 32 faqesh me ilustrime të thjeshta përshkruan kërcënimet me të cilat përballet vendi nordik, duke përfshirë konfliktet ushtarake, fatkeqësitë natyrore dhe sulmet kibernetike dhe terroriste. Përfshin këshilla për gatishmëri, të tilla si grumbullimi i ujit dhe ushqimeve që nuk prishen. MSB-ja deklaroi se versioni i ri 2024 kishte një fokus më të madh në përgatitjet për luftë.

Në dy javët e ardhshme, 5.2 milionë kopje të broshurës do të dërgohen deri tek amvisëritë suedeze.

Broshura është në dispozicion në formë të shtypur në gjuhën suedeze dhe angleze, ndërsa versionet digjitale janë të disponueshme në disa gjuhë të tjera, duke përfshirë arabisht, polonishtë, finlandishtë...

Ish shefi i armatës suedeze Mikael Bajden në janar i paralajmëroi bashkatdhetarët e tij që të konsiderojnë se sa të përgatitur janë për mundësinë e luftës.

"Suedezët duhet të përgatiten psiqikisht për luftë", tha ai.

Qeveria e Finlandës e cila ndan një kufi prej 1.340 kilometrash me Rusinë, hapi sot një portal onlajn që mbledh informacione mbi gatishmërinë për kriza të ndryshme. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR