Studim: Si pasojë e të nxehtit këtë verë në Evropë ndërruan jetë 16.500 persona
- – Ndryshimet klimatike dhe rritja e temperaturave të shkaktuara nga faktori njeri janë përgjegjëse për vdekjen e rreth 16.500 personave në Evropë gjatë kësaj vere, bëhet e ditur në studimin e një grupi të hulumtuesve të klimës dhe shëndetit.
- Post By Fitore Curri
- 13:20, 17 shtator, 2025
Bruksel, 17 shtator 2025 (MIA) – Ndryshimet klimatike dhe rritja e temperaturave të shkaktuara nga faktori njeri janë përgjegjëse për vdekjen e rreth 16.500 personave në Evropë gjatë kësaj vere, bëhet e ditur në studimin e një grupi të hulumtuesve të klimës dhe shëndetit.
Në bazë të hulumtimit të modelit klimatik në 854 qytete evropiane, shkencëtarë nga Kolexhi Imperial në Londër dhe epidemiologë nga Shkolla Londineze për Higjienë dhe Mjekësi Tropikale, kanë vërtetuar se si rezultat i ngrohjes globale temperaturat në Evropë në periudhën qershor – gusht ishin për 2,2 gradë Celsius më të larta në raport me mesataren për atë periudhë të vitit.
Sipas tyre, në periudhën mesatare numri i personave të vdekur në ato qytete ishte për rreth 24.400 më i madh se mesatarja, por se të gjitha ato raste të vdekjes nuk ishin pasojë e temperaturave të rritura. Megjithatë, ngrohja globale, siç vlerësohet në studim, është përgjegjëse për afro 70 për qind të “tepricës” së rasteve të vdekjes ose për vdekjen e rreth 16.500 personave.
Shkencëtarët theksojnë se në këto rezultate kanë arritur në bazë të modelit hulumtues edhe se nuk bazohen në numrat realë të rasteve të vdekjes në qytetet evropiane gjatë kësaj vere, sepse “shumicës së vendeve u duhet kohë e gjatë që t’i publikojnë ato të dhëna”. Megjithatë, ata theksojnë se vlerësimet e tyre janë në “kornizën reale” të rasteve të vdekjes.
Në studim vlerësohet se numri i rasteve të vdekjes gjatë valëve të të ngrohtit është nënvlerësuar dukshëm, sepse një pjesë e shkaqeve të përmendurave të vdekjes, si probleme të zemrës, të frymëmarrjes ose probleme të tjera shëndetësore, shënojnë rritje me rritjen e temperaturave.
Në vendet e goditura më rëndë nga vala e të ngrohtit – Rumania, Bullgaria, Greqia dhe Qipro, ku temperaturat ishin edhe deri gjashtë gradë Celsius më të larta nga mesatarja, në periudhën prej 21 deri 27 korrik vlerësohet se ka pasur 950 raste të “tepërta” të vdekjes si pasojë e të ngrohtit ose rreth 11 raste të vdekjes në dit në një milionë njerëz.
Sipas hulumtimit, më së shumti raste të vdekjes të vlerësuara si rezultat i ndryshimeve klimatike – 835 ka pasur në Romë, pas çka vijojnë Athina me 630 dhe Parisi me 409. Më shumë se 85 për qind e “tepricës” së vlerësuar të njerëzve të vdekur ishin të moshës prej 65 vjet, ndërsa rreth 40 për qind më të vjetër se 85 vjet. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s