• e hënë, 23 dhjetor 2024

Stoltenberg u bëri thirrje aleatëve të NATO-s që ta mbështesin misionin për trajnim dhe mbështetje të Ukrainës

Stoltenberg u bëri thirrje aleatëve të NATO-s që ta mbështesin misionin për trajnim dhe mbështetje të Ukrainës

Bruksel, 12 qershor 2024 (MIA) - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg sot u ka bërë thirrje aleatëve që të miratojnë projektin për koordinimin e ndihmës ushtarake dhe trajnimit për Ukrainën në mbrojtje kundër pushtimit rus.

Duke folur përpara takimit dyditor të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, Stoltenberg u bëri thirrje aleatëve "që ta miratojnë planin që NATO ta udhëheqë koordinimin e ndihmës dhe trajnimit të sigurisë për Ukrainën", raportoi DPA.

Projekti është pjesë kryesore e një pakete të mbrojtjes për Ukrainën që aleanca prej 32 anëtarësh dëshiron ta miratojë në samitin e liderëve në Uashington në korrik.

Bisedimet janë duke u zhvilluar midis aleatëve për të nënshkruar një angazhim për mbështetjen financiare afatgjatë për Ukrainën. Stoltenberg më parë tha se Ukraina ka nevojë për një minimum prej 40 miliardë eurove (43 miliardë dollarë) çdo vit.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha se ai pret që ministrat e mbrojtjes në aleancë të miratojnë projektin e trajnimit dhe mbështetjes të premten.

Përpara takimit, Stoltenberg siguroi një marrëveshje nga kryeministri hungarez Viktor Orbán se ai nuk do të bllokonte zbatimin e nismës së NATO-s.

Në këmbim, Orban u sigurua se Hungaria nuk do të duhej të merrte pjesë ose të financonte projektin. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR