• e mërkurë, 09 tetor 2024

Stoltenberg: NATO mund të kishte bërë më shumë për të parandaluar luftën në Ukrainë

Stoltenberg: NATO mund të kishte bërë më shumë për të parandaluar luftën në Ukrainë

Frankfurt, 14 shtator 2024 (MIA) - NATO mund të kishte bërë më shumë për të armatosur Ukrainën në përpjekje për të parandaluar një pushtim rus në vitin 2022, tha sekretari i përgjithshëm i Aleancës Jens Stoltenberg në një intervistë për Frankfurter Algemajne cajtung (FAC).

I pyetur se cila ishte dita më e keqe e mandatit të tij 10-vjeçar si shef i NATO-s, Stoltenberg tha se ishte 24 shkurt 2022, kur Rusia pushtoi Ukrainën. Ai thekson se lufta e Moskës kundër Kievit nuk filloi në vitin 2022, por në vitin 2014 me aneksimin e Krimesë.

"Nëse Ukraina do të ishte më e fortë ushtarakisht, kujdesi i Rusisë para sulmit do të ishte më i madh. Nuk dihet nëse do të kishte mjaftuar. Gjatë vizitës sime të parë në Ukrainë në vitin 2015, vizitova qendrën e trajnimit atje. SHBA, Kanadaja dhe Britania trajnuan ushtarë atje, ne si NATO jo. Në përgjithësi, trajnimi dhe pajisjet tona ishin mjaft të kufizuara. Mund të kishim bërë shumë më tepër", thotë Stoltenberg, i cili së shpejti do të largohet nga funksioni kryesor i Aleancës.

Ai e vë në dukje pranimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO si ditën më të mirë në karrierën e tij.

NATO, tha ai, nuk ishte e gatshme të siguronte armë që Kievi kishte kërkuar përpara pushtimit rus për shkak të frikës se tensionet me Rusinë do të përshkallëzoheshin.

"Tani po armatosim Ukrainën për luftë, atëherë mund ta kishim armatosur Ukrainën për të parandaluar luftën”, theksoi Stoltenberg.

Fundi i luftës në Ukrainë, siç thekson ai, megjithatë do të jetë në tryezën e bisedimeve përmes dialogut me Rusinë.

"Unë ende besoj në dialogun me Rusinë të kombinuar me mbrojtjen dhe parandalimin. Ne duhet të jemi të fortë që të kemi një dialog kuptimplotë. Sigurisht, tani hapësira për këtë është shumë më e vogël, thuajse inekzistente, krahasuar me vitin 2014. Një nga projektet e mia të para madhore si Sekretar i Përgjithshëm ishte aktivizimi i Këshillit NATO-Rusi, i cili nuk ishte mbledhur për një kohë të gjatë. Një gjë është e qartë: për t'i dhënë fund kësaj lufte, në një moment duhet të ketë sërish dialog me Rusinë. Por kjo duhet të bazohet në forcën e Ukrainës", vuri në dukje Stoltenberg.

Jens Stoltenberg, ish kryeministër i Norvegjisë, në tetor të këtij viti do të largohet nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, të cilin e mbante që nga viti 2014. Kreu i ardhshëm i NATO-s do të jetë ish kryeministri holandez Mark Rute.

Stoltenberg refuzoi të konfirmonte se ai do të merrte detyrën e kryesuesit të Konferencës së Sigurisë së Mynihut nga diplomati gjerman Kristof Hojsgen. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR