• e hënë, 23 dhjetor 2024

Stoltenberg: Është shumë herët të thuhet se kur areoplanët luftarakë perëndimorë do të dorëzohen në Ukrainë

Stoltenberg: Është shumë herët të thuhet se kur areoplanët luftarakë perëndimorë do të dorëzohen në Ukrainë

Bruksel, 15 qershor 2023 (MIA) - Është shumë herët të thuhet se kur do të merren vendimet për sigurimin e aeroplanëve luftarakë perëndimorë për Ukrainën, tha sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, para fillimit të takimit dyditor të ministrave të mbrojtjes të paktit në Bruksel.

“Ne shohim që Ukraina ka nisur një kundërofensivë, shohim beteja të ashpra dhe rimarrjen e tokës ukrainase. Kjo tregon se mbështetja nga aleatët çon në rezultate në fushën e betejës”, tha Stoltenberg.

Ai vuri në dukje se në takimin e ministrave të mbrojtjes të NATO-s do të diskutohet për vazhdimin e ndihmës për forcat e Kievit dhe rritjen e prodhimit të municioneve.

"Ne nuk shohim shenja se Rusia po përgatitet për paqe dhe negociata. Sa më e suksesshme të jetë kundërofensiva, aq më e madhe është mundësia që presidenti rus Vladimir Putin një ditë të kuptojë se ai nuk mund të fitojë në fushën e betejës dhe duhet të negociojë. Arritja e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme kërkon ndihmë për Ukrainën”, shtoi Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës.

Ai theksoi se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet, kështu që nuk duhej ndërmarrë. Sipas tij, deklaratat ruse në lidhje me armët bërthamore janë të papërgjegjshme dhe të rrezikshme.

“Unë jam përgjegjës për të gjitha vendimet në NATO, përveç njërës – për të ardhmen time”, tha Stoltenberg me rastin e pritjes se së shpejti do të zëvendësohet në këtë pozitë, njoftoi BTA. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR