Starmeri në takim me Zelenskin: Ukrainës t'i mundësohen mjete për sulme me sisteme me rreze të gjatë veprimi
- – Kryeministri britanik Kir Starmer sot gjatë takimit me presidentin ukrainas Volodomir Zelenski dhe para mbledhjes së aleatëve të Ukrainës në Londër bëri thirrje “të bëhet më shumë që të fuqizohen mjetet ukrainase për sulme me rreze të gjatë veprimi”.
- Post By Fitore Curri
- 17:37, 24 tetor, 2025
Londër, 24 tetor 2025 (MIA) – Kryeministri britanik Kir Starmer sot gjatë takimit me presidentin ukrainas Volodomir Zelenski dhe para mbledhjes së aleatëve të Ukrainës në Londër bëri thirrje “të bëhet më shumë që të fuqizohen mjetet ukrainase për sulme me rreze të gjatë veprimi”.
“Mendoj se mund të bëjmë më shumë për mjetet, veçanërisht për mjetet me rreze të gjatë veprimi", tha Kir Starmer para mbledhjes së të ashtuquajturit ‘Koalicioni i të përgatiturve’ nga 26 vende kryesisht evropiane të cilat e mbështesin Kievin.
“Dhe gjithsesi, këtu është edhe puna jetike e ‘Koalicionit të të përgatiturve’ për garancitë e sigurisë të cilat duhet t’i jepen Kievit”, shtoi ai.
Zelenski dhe Starmeri biseduan pasi mbreti britanik Çarlls III përsëri e priti presidentin ukrainas, që është takimi i tyre i tretë në Britaninë e Madhe që nga fillimi i vitit.
Takimi i sotëm në Londër do të mbahet në format hibrid, sepse kryeministrja daneze Mete Fredriksen, homologu i saj holandez Dik Shuf dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, do të marrin pjesë personalisht në takim, përderisa 20 liderë të tjerë, duke përfshirë edhe presidentin francez Emanuel Makron, do të marrin pjesë përmes lidhjes me videokonferencë.
Shefi i Qeverisë laburiste britanike, i cili bashkëkryeson me këtë koalicion bashkë me presidentin francez, Emanuel Makron, dëshiron ta vendosë Ukrainën në pozitën më të fuqishme të mundshme para ardhjes së dimrit, kundër forcave ruse, njoftoi zyra e tij.
Gjatë javëve të fundit, Ukraina është cak i sulmeve të rritura ruse ndaj infrastrukturës së saj energjetike, të cilat kërcënojnë ta privojnë popullsinë e saj nga energjia elektrike dhe ngrohja.
Ukraina prodhon disa raketa me rreze të gjatë veprimi (Flamingo, Neptun) dhe merr “Skalp” franceze dhe “Storm Shedou” britanike, por të gjitha ato janë në sasi të vogla. Vendi pa sukses kërkon raketa gjermane “Taurus”, ndërsa amerikanët deri më tani refuzojnë t’i dërgojnë raketa “Tomahavk”, për të cilat shpresonte Zelenski.
Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se dërgesa e tillë do të përfaqësonte “përshkallëzim të ri”.
Pritet që Starmeri tu bëjë thirrje partnerëve të koalicionit që ta përfundojnë punën për shfrytëzimin e mjeteve të ngrira ruse si përgjigje e pushtimit të madh rus të Ukrainës dhe ta financojnë dërgesën e “sistemeve me rreze të gjatë veprimi” në këtë vend, bëhet e ditur në kumtesën e Dauning strit.
Liderët evropianë të mbledhur dje në Bruksel bënë hapin e parë të mençur, duke kërkuar nga Komisioni Evropian t’i hetojë mjetet të cilat do të përdoren për financimin e Ukrainës gjatë dy ditëve të ardhshme dhe e lanë të hapur çështjen për hua e cila do të bazohet në ato mjete të ngrira ruse.
Këto mjete ruse të bllokuara nga sanksionet perëndimore kanë vlerën rreth 210 miliardë euro.
Ai propozim do të jetë në rend dite në samitin evropian në dhjetor, me çka në mënyrë efikase do të shtyhen vendimet më të vështira. Propozimi ishte formuluar paqartësisht për shkak të rezervave të shprehura nga Belgjika, ku gjendet pjesa më e madhe e mjeteve të ngrira.
Konfiskimi i thjeshtë i mjeteve përfaqëson vijën e kuqe për vendet e BE-së, por Komisioni Evropian propozon të shfrytëzohen këto mjete për financim të borxhit prej 140 miliardë euro për Kievin.
Starmeri, gjithashtu, e përshëndeti “përparimin e madh” të arritur këtë javë në masat në lidhje me energjinë ruse pas vendimit të SHBA-së që të vendosin sanksione ndaj këtij sektori.
Sanksionet përfshijnë ngrirjen e atyre mjeteve të gjigantëve të naftës “Rosneft” dhe “Lukoil” në SHBA dhe ndalesë për të gjitha kompanitë amerikane që të bashkëpunojnë me to.
Moska i quajti sanksionet amerikane “kundërproduktive”, ndërsa presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi se ato nuk do të kenë “ndikim të rëndësishëm” ndaj ekonomisë së vendit të tij. fc/
Foto: EPA