• e premte, 05 dhjetor 2025

Starmeri në G20 në Afrikën e Jugut: Pjesëmarrja është thelbësore, do të nënshkruaj marrëveshje prej 400 milionë paund

Starmeri në G20 në Afrikën e Jugut: Pjesëmarrja është thelbësore, do të nënshkruaj marrëveshje prej 400 milionë paund

Johanesburg, 21 nëntor 2025 (MIA) – Kryeministri britanik Kir Starmer ka paralajmëruar se do të fokusohet në arritjen e marrëveshjeve me kombet e tjera gjatë udhëtimit të tij në samitin e Grupit 20-të (G20) në Afrikën e Jugut, duke theksuar se është "shumë e rëndësishme" të marrë pjesë në takimin e bojkotuar nga presidenti amerikan, Donald Tramp.

Starmeri mbërrin sot në Johanesburg, ndërsa nga Dauning strit thanë se ai do ta shfrytëzojë vizitën për të njoftuar marrëveshje me vlerë 400 milionë paund (523 milionë dollarë) për trenë, aeroplanë dhe nëndetëse.

Samiti i liderëve i cili zhvillohet më 22-23 nëntor, ishte nën kërcënimin e një bojkoti nga presidenti amerikan dhe zyrtarët amerikanë për shkak të pretendimeve se të bardhët po persekutohen në Afrikën e Jugut (AJ), raporton agjencia gjermane e lajmeve DPA.

Presidenti i Afrikës së Jugut, Siril Ramafosa deklaroi dje se po zhvillohen bisedime për të ndryshuar vendimin për pjesëmarrje të SHBA-së.
Gazetarët që udhëtuan me Starmerin i kërkuan atij koment për mungesën e Trampit.

"Sa i përket pjesëmarrjes, padyshim që presidenti Tramp e ka bërë të qartë qëndrimin e tij. Mendoj se është me të vërtetë e rëndësishme të jesh atje dhe të flasësh me partnerë dhe aleatë të tjerë në mënyrë që të mund të vazhdojmë të diskutojmë mbi çështjet globale që duhen adresuar dhe që kanë ndikim në vend, por edhe të shfrytëzojmë mundësinë për të çuar përpara marrëveshjet që dua t'i bëj për vendin tonë", tha kryeministri britanik.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR