Starmer: Ballkani është vendi ku testohet siguria e Evropës
- – Kryeministri britanik, Kir Starmer e përshkroi Ballkanin Perëndimor si poligon evropian duke e hapur sot samitin në Londër, i cili kryesisht është i përqendruar në zgjidhjen e sfidës me emigrimin, njoftoi Radio Evropa e Lirë (REL).
- Post By Fitore Curri
- 22:00, 22 tetor, 2025
Londër, 22 tetor 2025 (MIA) – Kryeministri britanik, Kir Starmer e përshkroi Ballkanin Perëndimor si poligon evropian duke e hapur sot samitin në Londër, i cili kryesisht është i përqendruar në zgjidhjen e sfidës me emigrimin, njoftoi Radio Evropa e Lirë (REL).
Kryeministri britanik është nikoqir i liderëve të gjashtë vendeve nga Ballkani Perëndimor – Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përderisa Britania e Madhe po bën përpjekje të merret vesh për masat e mëtutjeshme për uljen e numrit të emigrantëve të cilët po vijnë jashtëligjshëm.
Britania e Madhe për momentin është në negociata me disa nga vendet e rajonit për hapjen e të ashtuquajturave “qendra të kthimit” ku Britania e Madhe do të mund t’i dërgojë azilkërkuesit e refuzuar para se të dëbohen.
“Rajoni është përshkruar si udhëkryqi i Evropës, por shumë shpesh ka qenë edhe poligon i Evropës - vend ku vihet në provë siguria e kontinentit tonë”, tha kryeministri britanik.
Starmeri shtoi se bisedimet do të përqendrohen në sigurinë, emigrimin dhe rritjen ekonomike, ndërsa liderët do të bisedojnë për atë si të kundërshtojnë “ndikimin malinj” të Rusisë, si dhe për çrrënjosjen e korrupsionit dhe çështjeve të përbashkëta të emigrimit.
"Ballkani Perëndimor ka qenë prej kohësh një rrugë jetësore tranziti për bandat kriminale të kontrabandistëve. Nuk doni t'i shihni këto banda si veprojnë në territorin tuaj dhe të gjithë ne vuajmë pasojat e veprimeve të tyre", tha Starmer.
Procesi i Berlinit është nismë diplomatike e filluar në vitin 2014 nga kancelarja e atëhershme gjermane Angela Merkel, me qëllim që t’i afrojë vendet e rajonit drejt Bashkimit Evropian.
Në mesin e pjesëmarrësve në Samitin në Londër janë kryeministrat e Shqipërisë, Edi Rama, i Kosovës, Albin Kurti, i Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, kryetarja e Këshillit të ministrave të BeH, Borjana Kristo, kryeministrat e Malit të Zi, Mijollko Spajiq dhe të Serbisë Gjuro Macut.
Bashkë me ata, në samitin në Londër kryeministri britanik i priti edhe përfaqësuesit e Gjermanisë, Francës dhe vendeve të tjera anëtare të BE-së, përderisa mbreti britanik Çarlls III, organizoi pritje për pjesëmarrësit.
Samitet e Procesit të Berlinit mbahen një herë në vit, ndërsa i fundit ishte në tetorin e vitit 2024 në Berlin. fc/
Foto: EPA