• e hënë, 23 dhjetor 2024

Stano: Vizita e Lajçakut tregoi se Prishtina dhe Beogradi edhe më tej janë në qëndrime thelbësisht të kundërta

Stano: Vizita e Lajçakut tregoi se Prishtina dhe Beogradi edhe më tej janë në qëndrime thelbësisht të kundërta

Bruksel, 13 qershor 2023 (MIA) - Zëdhënësi i Bashkimit Evropian (BE) Peter Stano sot deklaroi se vizita e javës së kaluar e të dërguarit  special të BE-së, Miroslav Lajçak në Prishtinë dhe Beograd konfirmoi se të dyja palët ende kanë qëndrime të kundërta për shumë çështje dhe shtoi se konsultimet për hapat e ardhshëm janë në vazhdim.

"I dërguari special i BE-së Miroslav Lajçak ka qenë në Prishtinë dhe Beograd i shoqëruar nga deputeti amerikan Gabriel Eskobar për të diskutuar mbi elementet kyçe për progres të mëtejshëm. Bisedimet kanë qenë shumë të vështira, veçanërisht në Prishtinë, ndërsa vizita konfirmoi se të dyja palët ende kanë qëndrime thelbësisht të kundërta për shumë çështje", deklaroi Stano për agjencinë Beta.

Ai shtoi se Lajçaku e ka informuar përfaqësuesin e lartë të BE-së për bisedimet dhe se tani janë duke u informuar shtetet anëtare dhe se në vijim janë konsultimet për hapat e ardhshëm.

Stano kujtoi se BE-ja ka ftuar Prishtinën dhe Beogradin që të jenë konstruktivë dhe të gatshëm për kompromis, duke shtuar se nevojiten hapa pozitivë, veçanërisht nga pala kosovare për të zbutur shpejt tensionet në veri të Kosovës.

“Nëse palët nuk reagojnë, BE-ja është e gatshme të marrë masa vendimtare që do të ndikojnë në marrëdhëniet tona”, ka thënë Stano.

Foto: arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR