• e martë, 24 dhjetor 2024

Stano: Veprimet e Putinit tregojnë se ai është i vendosur të vazhdojë agresionin ndaj Ukrainës

Stano: Veprimet e Putinit tregojnë se ai është i vendosur të vazhdojë agresionin ndaj Ukrainës

Bruksel, 19 janar 2024 (MIA) - Vendimet dhe veprimet e presidentit rus, Vlladimir Putin tregojnë qartë vendosmërinë e tij për të vazhduar agresionin e paligjshëm kundër Ukrainës dhe për momentin nuk ka asnjë propozim kredibil për paqe nga Rusia, tha sot zëdhënësi i Komisionit Evropian i Punëve të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Petar Stano.

"Putini nuk është i përkushtuar për paqe dhe në fushatën për zgjedhjet presidenciale, të caktuara për këtë pranverë, rezultatet e të cilëve mund të supozohen dhe mendoj se tashmë janë të përcaktura, do të ketë një rritje të sulmeve dhe agresionit kundër Ukrainës. Putini e tregoi këtë gjatë festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri dhe e tregon çdo ditë duke vazhduar eskalimin dhe sistemimin e armëve, dronëve dhe raketave, duke sulmuar gjithnjë e më shumë objektivat dhe infrastrukturën civile", theksoi Stano.

Ai shtoi se për momentin nuk ka asnjë indikacion nga pala ruse se ekziston gatishmëri e sinqertë për paqe dhe për t'i dhënë fund agresionit, prandaj bashkësia ndërkombëtare, duke përfshirë BE-në, duhet të vazhdojë të mbështes Ukrainën.

Ai përkujtoi se lidhur me propozimin paqesor ukrainas u diskutua edhe në takimin në Davos, ku kanë marrë pjesë përfaqësues të rreth 80 vendeve nga tërë bota, që, sipas tij, është veçanërisht me rëndësi, sepse tregon se kjo luftë po tërheq edhe një herë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, i cili nuk e sheh atë si agresion kundër Ukrainës, por si agresion kundër ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së KB-së.

Ai theksoi se me agresionin kundër Ukrainës, Rusia nuk po dëmton vetëm popullin ukrainas, por edhe qytetarët e saj, të cilët "i dërgon të vdesin në numër të madh në këtë luftë joligjore".

"Putin është i vendosur të vazhdojë me këtë luftë deri në përfundimin e zgjedhjeve presidenciale", përfundoi Stano. rq/bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR