• e martë, 24 dhjetor 2024

Stano: Sulmet e huthëve në Detin e Kuq janë ilegale dhe duhet të ndalen

Stano: Sulmet e huthëve në Detin e Kuq janë ilegale dhe duhet të ndalen

Bruksel, 15 janar 2024 (MIA) - Pozita e Bashkimit Evropian është tërësisht e qartë se sulmet e huthëve në Detin e Kuq janë ilegale dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtën e lundrimit të lirë dhe sigurisë detare, deklaroi zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë Peter Stano.

"Nuk ka asnjë justifikim për sulmet. Këto janë sulme me raketa dhe dronë ndaj anijeve tregtare. Nuk ka sesi të jenë të ligjshme dhe për këtë arsye Këshilli i Sigurimit i KB-së i dënoi ashpër. Thirrja e BE-së që ata të ndalojnë është në mbështetje të kësaj rezolute të rëndësishme të Këshillit të Sigurimit", tha Stano në konferencën e sotme të rregullt, duke shtuar se pavarësisht nëse sulmet kanë lidhje me zhvillimet në Gaza, ato duhet të ndalen.

Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Brukseli, Stano përkujtoi se Shërbimi Evropian për Punë të Jashtme (EEAS) në kumtesën  e publikuar të premten e mirëpriti Rezolutën 2722 të Këshillit të Sigurimit të KB-së me të cilën "ashpër dënohen sulmet e huthëve ndaj anijeve në Detin e Kuq".

Në kumtesë u theksua se mbajtja e lirisë së lundrimit në Detin e Kuq është nga vlera vitale për rrjedhën e lirë të tregtisë globale dhe sigurisë rajonale, me ç'rast u theksua se me Rezolutën përkujtohet që shtetet kanë të drejtë t'i mbrojnë anijet e tyre nga këto sulme në pajtim me të drejtën ndërkombëtare.

Stano shtoi gjithashtu se pavarësisht faktit se disa vende evropiane kontribuojnë në operacionin "Rojtar i prosperitetit", të udhëhequr nga SHBA, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Zhozep Borell, propozoi një iniciativë për të nisur një mision specifik evropian për të rikthyer stabilitetin dhe sigurinë e lundrimit në Detin e Kuq, për të cilin tashmë kanë njoftuar udhëheqësit e vendeve anëtare të Unionit, por siç tha ai është një proces konfidencial dhe në vazhdim dhe KE-ja për momentin nuk dëshiron ta komentojë.

Sipas Stanos, çështja për gjendjen në Detin e Kuq, së bashku me ngjarjet në Ukrainë dhe në Rripin e Gazës do të jenë tema kyçe në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së, që do të mbahet javën e ardhshme. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR