• e hënë, 23 dhjetor 2024

Stano: Prishtina rrezikon të mbetet vetëm nëse nuk i dëgjon miqtë dhe aleatët

Stano: Prishtina rrezikon të mbetet vetëm nëse nuk i dëgjon miqtë dhe aleatët

Beograd, 16 gusht 2024 (MIA) - Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, ka theksuar sot se BE-ja, SHBA-ja, NATO-ja dhe Britania e Madhe kanë thënë qartë dhe pa mëdyshje se është në interesin e Prishtinës që "të dëgjojë miqtë dhe aleatët", përndryshe, paralajmëroi ai, ajo rrezikohet të mbetet e vetme dhe e braktisur, tha korrespondenti i MIA-s nga Beogradi.

Stano, i pyetur për të komentuar deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila i quajti "raciste" deklaratat e tij për urën, tha se BE-ja nuk ka asgjë të re për të thënë për temën e rihapjes së urës.

"Mund të kujtoj vetëm për të gjithë ata që kanë vështirësi të dëgjojnë dhe kuptojnë se të gjithë miqtë dhe aleatët e Kosovës (BE, SHBA, NATO, Britania e Madhe...) e kanë thënë shumë qartë dhe pa mëdyshje se është në interesin e Kosovës të dëgjojë miqtë dhe aleatët, përndryshe rrezikojnë të mbeten vetëm", tha Stano.

Ai përsëriti disa herë atë që BE-ja e këshilloi Prishtinën, përkatësisht se "qeverisja e mirë do të thotë t'u afrohesh komuniteteve të prekura nga vendime të caktuara dhe të angazhohesh me to".

"Trajtimi i çështjes së urës në kuadër të dialogut të mbështetur nga BE-ja nënkupton diskutimin e modaliteteve për zbatimin e marrëveshjeve të arritura për urën, jo marrëveshjet e reja. Duhet të dëgjoni vërtet dhe të përpiqeni të kuptoni këshillat unanime me qëllim të mirë të të gjithë miqve dhe aleatëve", tha Stano.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani të enjten i ka cilësuar si raciste deklaratat e zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, dhe shtoi se "kur Stano kalon nëpër urat në vendin e tij, ai nuk kërkon leje nga fqinjët".

Ura kryesore mbi Ibër e ndan Mitrovicën e Kosovës në pjesën jugore të qytetit, ku jetojnë shqiptarët, dhe në pjesën veriore, ku 95 për qind e popullsisë janë serbë. Ura ruhet vazhdimisht nga karabinierët italianë të KFOR-it.

Autoritetet e Kosovës njoftojnë hapjen e saj, gjë që kundërshtohet ashpër nga BE-ja, OSBE-ja, EULEKS-i, KFOR-i dhe SHBA, duke thënë se kjo temë duhet të jetë pjesë e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të ndërmjetësuar nga BE-ja. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR