• e hënë, 23 dhjetor 2024

Stano: Pas përfundimit të hetimit për Banjskën, BE-ja pret që të gjitha palët të bashkëpunojnë në procesin gjyqësor

Stano: Pas përfundimit të hetimit për Banjskën, BE-ja pret që të gjitha palët të bashkëpunojnë në procesin gjyqësor

Bruksel, 12 shtator 2024 (MIA) - Komisioni Evropian e përshëndeti faktin se Prokuroria Speciale e Kosovës ka përfunduar hetimet për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjskë dhe dorëzoi të dhëna relevante, deklaroi sot zëdhënësi kryesor i Komisionot Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Peter Stano. 

“Bashkimi Evropian në mënyrë konsekuente dhe vazhdimisht shpreh pritshmërinë që të gjithë ata që janë përgjegjës dhe të përfshirë në këtë sulm brutal, të përfshihen në procesin gjyqësor. Ngritja e akuzave do të thotë që tani do të fillojë procesi gjyqësor, dhe sigurisht, presim përfundimin e këtij procesi gjyqësor", theksoi Stano. 

I pyetur nëse kjo temë është biseduar në takimin e djeshëm të të dërguarit special të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd, Mirosllav Lajçak me presidentin Aleksandar Vuçiq, Stano deklaroi se Unioni zakonisht nuk e komenton përmbajtjen e ndërveprimeve me vendet partnere.

"Por, nuk janë të nevojshme takime të tilla për ta parashtruar pozicionin e BE-së, i cili është shumë i njohur dhe është përsëritur në disa raste që nga dita tragjike e 24 shtatorit të vitit të kaluar. Presim që Serbia plotësisht të bashkëpunojë në hetimin për këtë sulm dhe nëse nevojitet, gjithashtu, të bashkëpunojnë edhe për kapjen e personave përgjegjës", theksoi Stano, duke shtuar se ky qëndrim dhe pritje e BE-së u transferohen partnerëve serbë në të gjitha rastet e mundshme.

Ai shtoi se sulmi në Banjskë kontribuoi për përshkallëzim të paprecedentë të situatës në Kosovë dhe prandaj duhet të ketë pasoja për përgjegjësit.

Stano theksoi se tani i mbetet Gjykatës të miratojë aktvendim në bazë të gjetjeve të Prokurorisë dhe se BE-ja do ta ndjekë këtë proces dhe pret që të gjithë të bashkëpunojnë nëse nevojitet.

I pyetur nëse BE-ja do të insistojë që autoritetet serbe ta ekstradojnë Millan Radoiçiqin në Kosovë, Stano deklaroi se qëndrimi gjithmonë ka qenë i qartë dhe pret që Serbia duhet të bashkëpunojë plotësisht për këtë çështje. qa/bsh/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR