• e premte, 22 nëntor 2024

Stano: Përgjegjësit për përshkallëzimin e mundshëm të tensioneve në Kosovë do të bartin pasojat

Stano: Përgjegjësit për përshkallëzimin e mundshëm të tensioneve në Kosovë do të bartin pasojat

Bruksel, 2 shtator 2024 (MIA) - Komisioni Evropian beson se ngjarjet e fundit në Kosovë paraqesin një veprim të njëanshëm të padobishëm dhe të pakoordinuar, i cili mund të çojë në rritje të tensioneve dhe përshkallëzim të situatës tashmë të paqëndrueshme në terren, tha sot zëdhënësi kryesor i KE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Peter Stano.

"Bashkimi Evropian tani do t'ua përcjellë autoriteteve në Prishtinë qëndrimin tonë dhe mospajtimin tonë me këto lëvizje të pakoordinuara të njëanshme. Kemi pasur konkluzionet e Këshillit Evropian vitin e kaluar në të cilat vendet anëtare e kanë pasur shumë të qartë se përgjegjësit për vazhdimin e përshkallëzimit do të bartin pasoja", shtoi Stano në përgjigje të një pyetjeje se çfarë do të ndërmarrë BE-ja në lidhje me “ndërhyrjen e Policisë së Kosovës në institucionet serbe në Kosovë dhe pengimin e punonjësve për të hyrë në vendet e tyre të punës".

I pyetur se kur mund të pritet raundi i radhës i bisedimeve ndërmjet shefave të ekipeve negociatore të Serbisë dhe Kosovës, Stano u përgjigj se për momentin nuk mund të thotë një datë për mbajtjen e një takimi të tillë, pavarësisht njoftimeve se ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak do të udhëtonte për në Prishtinë për të rënë dakord për vazhdimin e negociatave.

"Synimi ynë është që të sigurojmë një takim sa më të shpejtë të krerëve të ekipeve negociatore, sepse në tavolinë ka shumë çështje që duhet të zgjidhen", shtoi Stano. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR