• e premte, 08 nëntor 2024

Stano për vdekjen e gazetares Viktoria Roshçina: Nuk mund të ketë mosndëshkim për abuzimin e gazetarëve

Stano për vdekjen e gazetares Viktoria Roshçina: Nuk mund të ketë mosndëshkim për abuzimin e gazetarëve

Bruksel, 11 tetor 2024 (MIA) - Bashkimi Evropian vazhdimisht përsërit se i dënon ashpër vrasjet, sulmet fizike, paraburgimin dhe çdo formë tjetër të frikësimit apo matretimit me të cilin ballafaqohen gazetarët, veçanërisht në kohën e  konflikteve, derisa i kryejnë detyrat e tyre profesionale, deklaroi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Peter Stano në lidhje me informacionet për vdekjen e gazetares ukrainase Viktoria Roshçina në një burg rus. 

"Bashkimi Evropian ngushëllon, para së gjithash me popullin ukrainas, por edhe me gazetarët. Jemi të tmerruar nga raportimet për vdekjen e gazetares ukrainase, Viktoria Roshçina, ndërsa ajo u arrestua në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare nga autoritetet ruse. Mendimet tona janë me familjen, miqtë dhe kolegët e saj", tha Stano.

Ai potencoi se qëndrimi i Bashkimit Evropian është se nuk mund të ketë mosndëshkim për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe abuzimin e gazetarëve. 

 

I pyetur se çfarë mund të bëjë BE-ja për të burgosurit politikë dhe të tjerë në burgjet ruse, Stano theksoi se Rusia është ende anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të KB-së, ashtu që është e detyruar me  të drejtën ndërkombëtare dhe Konventës së Gjenevës, por edhe me Kushtetutën e vet, të garantojë disa të drejta për personat në burgje dhe të kujdeset për mirëqenien dhe sigurinë e tyre fizike.

"Rusia  ka për detyrë t'i respektojë këto detyrime, të cilat i ka pranuar vullnetarisht, por shohim që nuk po e bën. Prandaj duhet  ta mobilizojmë komunitetin ndërkombëtar për të dënuar shkeljen e ligjit ndërkombëtar, të Kartës së KB-së dhe të gjitha shkeljet e tjera të kryera nga regjimi rus", tha Stano. 

 Sipas tij, nevojitet forcimi dhe vazhdimi i  presionit ndërkombëtar ndaj autoriteteve ruse për të ndaluar këto praktika të paligjshme dhe për t'i dhënë fund shkeljes së vazhdueshme të ligjit ndërkombëtar, të drejtës ndërkombëtare humanitare dhe Kartës së KB-së.

Autoritetet ukrainase mbrëmë njoftuan se gazetarja Viktoria Roshçina, e cila u zhduk në territorin e Ukrainës të pushtuar nga Rusia, ka vdekur në robërinë ruse. 

Foto: Iks/Skrinshot 

 

QËNDRONI TË LIDHUR