• e shtunë, 23 nëntor 2024

Stano: BE nuk është e kënaqur nga kriminalizimi i shpifjes në Republika Srpska

Stano: BE nuk është e kënaqur nga kriminalizimi i shpifjes në Republika Srpska

Bruksel, 26 gusht 2023 (MIA) - Bashkimi Evropian shprehu keqardhjen për hyrjen në fuqi të ndryshimeve në Kodin Penal të Republikës Srpska, me të cilat parashikohen dënime penale për shpifje.

Zëdhënësi i KE-së, Peter Stano, përmes kumtesës tha se këto ndryshime ligjore vendosin kufizime të panevojshme dhe disproporcionale ndaj mediave të pavarura dhe shoqërisë civile.

“Ligji prek seriozisht mjedisin e shoqërisë civile dhe kufizon lirinë e shprehjes dhe të medias në Republika Srpska. Kjo është për të ardhur keq dhe është një hap i pamohueshëm prapa në mbrojtjen e të drejtave themelore”, theksohet në kumtesën.

Për Bashkimin Evropian, ky ligj është në kundërshtim me pritshmëritë që shoqëruan dhënien e statusit kandidat për anëtarësim në BE dhe është në kundërshtim me interesat e të gjithë qytetarëve të Bosnjë e Hercegovinës, përfshirë ata që jetojnë në Republika Srpska.

Në kumtesën theksohet se BE-ja pret që të gjitha nivelet e qeverisjes të punojnë në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e prioriteteve kyçe nga “Opinion i Komisionit Evropian”, të cilat janë të nevojshme që Komisioni të rekomandojë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bosnje e Hercegovinën.

Sipas kumtesës, ai pret që BeH të garantojë lirinë e shprehjes dhe të medias dhe mbrojtjen e gazetarëve.

"BE është e përkushtuar të mbështesë mediat dhe shoqërinë civile në Bosnje e Hercegovinë, veçanërisht në entitetin Republika Srpska," përfundohet në kumtesën.

Presidenti i Republikës Srpska, Milorad Dodik, më 18 gusht nënshkroi Dekretin për shpalljen e Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës Srpska, i cili penalizon shpifjen në atë entitet të Bosnjë e Hercegovinës. ls/

QËNDRONI TË LIDHUR