• e premte, 05 korrik 2024

Stano: Azerbajxhani të mundësojë monitorim të pavarur të ngjarjeve në Nagorno-Karabah

Stano: Azerbajxhani të mundësojë monitorim të pavarur të ngjarjeve në Nagorno-Karabah

Bruksel, 27 shtator 2023 (MIA) - Bashkimi Evropian kërkon që Azerbajxhani të lejojë qasje ndërkombëtare në Nagorno-Kaabah me qëllim që të sigurojë shpërndarje më efikase të ndihmës së domosdoshme, si dhe të mundësohet monitorim i pavarur për atë që po ndodh në rajon dhe cili është trajtimi ndaj popullatës, deklaroi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano.

Ai përsëriti se BE-ja e dënon përdorimin e forcës për tejkalimin e kontesteve, se shpreh keqardhje për vuajtjet e popullatës civile në Nagorno-Karabah dhe se konsideron që duhet urgjentisht t'u dërgohet ndihmë humanitare atyre personave që kanë nevojë për të.

Në përgjigje të pyetjes së një gazetari se pse Unioni nuk e cilëson "dëbimin e një të tretës" së armenëve nga Nagorno-Karabah si "spastrim etnik", Stano tha se BE-ja nuk e konsideron se operacioni i fundit ushtarak i Azerbajxhanit në Nagorno-Karabah përbën një pretekst për dëbimin me forcë të njerëzve të këtij territori.

Sipas tij, çelësi i hapave të ardhshëm drejt arritjes së paqes është që Azerbajxhani të zbatojë angazhimet e tij për të respektuar të drejtat dhe sigurinë e banorëve vendas në Nagorno-Karabah, duke përfshirë të drejtën e tyre për të jetuar me dinjitet në shtëpitë e tyre.

Javën e kaluar, nga Parisi erdhën vërejtje se reagimi i BE-së ndaj veprimit ushtarak të Azerbajxhanit në Nagorno-Karabah ka qenë "i papërshtatshëm", me vlerësimin se Unioni ka frikë se një ton më i ashpër ndaj Bakut mund të ndikojë në interesat e tij ekonomike dhe energjetike. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR