• e mërkurë, 03 korrik 2024

Stano: Azerbajxhani është përgjegjës për sigurinë e armenëve të Karabahut

Stano: Azerbajxhani është përgjegjës për sigurinë e armenëve të Karabahut

Bruksel, 29 shtator 2023 (MIA) - Azerbajxhani ka përgjegjësi t'i garantojë të drejtat dhe sigurinë e armenëve të Karabahut, duke përfshirë të drejtën e tyre për të jetuar në shtëpitë e tyre, me dinjitet, pa frikësim dhe diskriminim, si dhe të drejtën e të zhvendosurve për t'u kthyer në shtëpi, porositi zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Peter Stano, duke shtuar se është thelbësore t'i mundësohet qasje në terren misionit të KB-së në ditët e ardhshme.

"Aktualisht po ndodh një dëbim masiv i armenëve nga Karabahu, si rezultat i operacionit ushtarak të Azerbajxhanit më 19 dhe 20 shtator dhe bllokadave paraprake disamuajshe të Korridorit Laçin. Njerëzit po lënë shtëpitë e tyre në Nagorno-Karabah dhe po gjejnë strehim në Armeni", shtoi Stano.

Sipas tij, është urgjentisht e nevojshme të ofrohet një mbështetje e vazhdueshme e pandërprerë humanitare për ata që ende kanë nevojë në Karabah, si dhe për ata që janë larguar nga rajoni.

"Bashkimi Evropian mbështet punën e Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili lehtëson evakuimin e menjëhershëm të të plagosurve dhe pacientëve, si dhe ofrimin e ndihmës urgjente në terren", tha Stano.

Ai shtoi se Komisioni Evropian paralajmëroi një paketë shtesë të ndihmës humanitare prej pesë milionë euro për të zhvendosurit nga Nagorno-Karabah në Armeni, si dhe për ata që janë në një situatë të vështirë në Karabah, duke theksuar se BE-ja dhe vendet e saj anëtare janë të gatshme të ofrojnë ndihmë shtesë humanitare. qa/bsh/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR