• e diel, 22 dhjetor 2024

Spanja dërgon 7.500 ushtarë në rajonin e përmbytur, rritet zemërimi për shkak të reagimit të ngadaltë

Spanja dërgon 7.500 ushtarë në rajonin e përmbytur, rritet zemërimi për shkak të reagimit të ngadaltë

Madrid, 4 nëntor 2024 (MIA) - Spanja vendos 7500 ushtarë në rajonin e saj lindor të goditur nga përmbytjet shkatërruese, kumtoi sot qeveria, në kushte kur në opinion është rritur pakënaqësia për shkak të përgjigjes së saj ndaj katastrofës në të cilën e humbën jetën të paktën 217 njerëz. 

Ushtria dërgoi rreth 5000 ushtarë gjatë fundjavës për të ndihmuar në shpërndarjen e ushqimit dhe ujit, pastrimin e rrugëve dhe mbrojtjen e dyqaneve dhe pronave nga grabitësit. 2500 tjerë do t'i bashkohen atyre, deklaroi ministrja e mbrojtjes Margarita Robles për radion shtetërore RNE. 

Anija luftarake, e cila transportonte 104 personel detar, si dhe kamionë me ushqime dhe ujë, iu afrua portit të Valencias edhe kur një breshër i fortë goditi Barcelonën, rreth 300 kilometra në veri.

Ekipet e shpëtimit sot kërkuan trupa në garazhe nëntokësore, duke përfshirë edhe një parking për 500 automobila në qendrën tregtare Bonari në afërsi të aeroportit në Valencia, si dhe grykëderdhjet e lumenjve ku ndoshta mund të kenë mbetur trupat nga përmbytjet. 

Numri i të vdekurve nga përmbytjet më të këqija të Spanjës në historinë moderne është rritur në 217 - pothuajse të gjithë në rajonin e Valencias dhe më shumë se 60 në periferinë Pajporta. 

Zemërimi i banorëve lokal është i drejtuar ndaj paralajmërimeve të vonuara të autoriteteve për rreziqet e përmbytjeve dhe reagimit të vonuar të shërbimeve të urgjencës.

Ministri i Transportit Oskar Puente dje deklaroi se numri i viktimave është stabilizuar pasi janë identifikuar të gjitha viktimat në sipërfaqe. 

Kjo është fatkeqësia më e keqe e Evropës e lidhur me përmbytjet në pesë dekada.

Edhe pse reshjet vazhduan gjatë gjithë pjesës tjetër të javës, nuk pati përmbytje të tjera të mëdha në zonë.

Shërbimi meteorologjik sot në mëngjes lëshoi paralajmërim për Barcelonën, pasi breshër dhe shi i fortë e përfshinë qytetin më të madh të Spanjës.  ls/

Foto: EPA 

 

QËNDRONI TË LIDHUR