Sondazh: Shumica e gjermanëve i frikësohen një sulmi të mundshëm rus ndaj NATO-s
- Shumica e qytetarëve gjermanë janë të shqetësuar për një sulm të mundshëm rus ndaj një vendi anëtar të NATO-s, tregon sondazhi i Institutit Insa, të publikuar sot nga gazeta "Bild".
- Post By Sara Ademi
- 11:52, 14 shtator, 2025
Berlin, 14 shtator 2025 (MIA) - Shumica e qytetarëve gjermanë janë të shqetësuar për një sulm të mundshëm rus ndaj një vendi anëtar të NATO-s, tregon sondazhi i Institutit Insa, të publikuar sot nga gazeta "Bild".
Sipas rezultateve, 62 përqind e të anketuarve shprehën frikë nga një sulm ndaj vendeve si Polonia ose Lituania, ndërsa 28 përqind nuk ndanin shqetësime të tilla, dhe 10 përqind nuk dhanë një përgjigje specifike.
Sondazhi vjen pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës këtë javë, ku disa dronë hynë në hapësirën ajrore polake, e cila është gjithashtu hapësirë ajrore e NATO-s. Forca ajrore polake, me mbështetjen e forcave të tjera të aleancës, rrëzoi disa dronë për herë të parë.
Burime ushtarake besojnë se inkursioni i dronëve nuk ka gjasa të ketë qenë aksidental. Ende është e paqartë nëse ato ishin programuar për të sulmuar objektiva në vendet e NATO-s apo nëse ishte një provokim, pra një provë e mbrojtjes së Aleancës.
Sondazhi tregoi gjithashtu se shumica e gjermanëve mbështesin masa më të ashpra ekonomike kundër Rusisë. Dyzet e nëntë përqind thanë se të gjitha furnizimet ruse me gaz dhe naftë për Bashkimin Evropian duhet të ndërpriten menjëherë, ndërsa 33 përqind thanë se ato duhet të vazhdojnë, 11 përqind nuk ishin të sigurt dhe 7 përqind thanë se nuk ishte e rëndësishme.
Për më tepër, 51 përqind e të anketuarve thanë se fondet e ngrira ruse në BE duhet të përdoren për të mbështetur Ukrainën, 29 përqind ishin kundër dhe 20 përqind nuk dhanë përgjigje ose nuk kishin asnjë mendim. sa/
foto: arkivi