Sllovenia në krye të Këshillit të Sigurisë së KB-së në shtator
- Sllovenia mori kryesimin e radhës të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara në shtator, publikoi portali "Slovenia tajms". Shtatori është një nga muajt më intensivë për organizatën, pasi liderët botërorë mblidhen në Nju-Jork për një debat të përgjithshëm në hapjen e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme.
- Post By Fami Bajrami
- 08:31, 3 shtator, 2024
Lubjanë, 3 shtator 2024 (MIA) - Sllovenia mori kryesimin e radhës të Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara në shtator, publikoi portali "Slovenia tajms". Shtatori është një nga muajt më intensivë për organizatën, pasi liderët botërorë mblidhen në Nju-Jork për një debat të përgjithshëm në hapjen e sesionit të Asamblesë së Përgjithshme.
Sllovenia do ta marrë zyrtarisht këtë rol sot, kur do të prezantojë programin e saj të punës para 14 anëtarëve të mbetur të Këshillit të Sigurisë. Përfaqësuesi i vendit në Këshill, ambasadori Samuel Zhbogar, tashmë është zhvendosur në zyrën presidenciale të organizatës.
Pjesëmarrja e Sllovenisë në Këshillin e Sigurisë së KB-së si anëtare jo e përhershme filloi më 1 janar të këtij viti.
Ngjarja kryesore gjatë presidencës njëmujore të Sllovenisë do të jetë një debat i hapur i nivelit të lartë i quajtur "Lidershipi për paqe" i cili do të zhvillohet më 25 shtator gjatë debatit të përgjithshëm.
Debati do të drejtohet nga kryeministri Robert Golob, ndërsa do të diskutohet rëndësia e Këshillit të Sigurisë së KB-së në një botë gjithnjë e më të ndarë.
Këshilli i Sigurisë është një nga gjashtë organet kryesore të KB-së. Seancën e parë e mbajti më 17 janar të vitit 1946. Ngjashëm me KB-në, Këshilli i Sigurisë u krijua pas Luftës së Dytë Botërore si një përpjekje për të tejkaluar të metat e Lidhjes së Kombeve në ruajtjen e paqes botërore. Këshilli i Sigurisë së KB-së përbëhet nga 15 anëtarë, pesë prej të cilëve janë të përhershëm: Rusia, SHBA-ja, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Kina. Këta anëtarë të përhershëm kanë të drejtën e vetos për çdo rezolutë të Këshillit të Sigurisë, përfshirë ato që lidhen me pranimin e anëtarëve të rinj ose kandidaturat për Sekretar të përgjithshëm. Këshilli i Sigurisë ka gjithashtu 10 anëtarë jo të përhershëm, të zgjedhur për një mandat dy vjeçar në baza rajonale. rq/
Foto: arkivi i MIA-s