• e hënë, 23 dhjetor 2024

Sllovenia, Kroacia dhe Serbia përfshihen nga një stuhi

Sllovenia, Kroacia dhe Serbia përfshihen nga një stuhi

Beograd, 2 korrik 2024 (MIA) - Sllovenia, Kroacia dhe Serbia mbrëmë u përfshin nga një stuhi, me shi, bubullima dhe breshër, e cila shkaktoi dëme materiale.

Slloveninë e përfshiu një stuhi e fortë me reshje të rrëmbyeshme shiu, erë dhe breshër, ndërsa më së shumti dëme ka në Dolenjska, ku breshëri i dendur shkatërroi të mbjellat, ndërsa era e fortë dëmtoi kulmet e shtëpive.

Për shkak të stuhisë, Agjencia për Mjedis Jetësor (Arso) lëshoi një paralajmërim portokalli për të gjithë vendin, lajmëroi televizioni slloven.

Reshjet e rrëmbyeshme të shiut shkaktuan rrëshqitje të tokës, ndërsa erërat e forta rrëzuan drunj shtylla të energjisë elektrike dhe kulme të banesave dhe objekteve tjera afariste.

Stuhi e fortë mbrëmë e përfshiu edhe Kroacinë, kryesisht Sllavoninë dhe Zagrebin, ndërsa era e fortë, shiu i ndjekur me bubullima dhe breshër krijoi probleme të mëdha në Sisak, Vinkovc, Sllavonski Brod dhe Zhupanja.

Në Zagreb për shkak të dëmtimit të rrjetit elektrik dhe drunjve të rënë, trenat nuk qarkullojnë, ndërsa disa pjesë të qytetit mbetën pa energji elektrike. Kah fundi i mbrëmjes ka rënë shi i rrëmbyeshëm, për shkak të së cilës disa pjesë të qytetit janë përmbytur.

Stuhi me shi të rrëmbyeshëm dhe i shoqëruar me bubullima mbrëmë e përfshiu edhe Serbinë. Në kryeqytet ka rënë shi i dendur me bubullima. ERHM paraprakisht njoftoi se vranësira e madhe nga rajoni i Sremit lëviz drejt Beogradit në perëndim dhe se priten reshje intensive me bubullima në rrethinën e Beogradit. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s



QËNDRONI TË LIDHUR