• e hënë, 23 dhjetor 2024

Sllovenia do ta njohë shtetin palestinez deri nga mesi i qershorit

Sllovenia do ta njohë shtetin palestinez deri nga mesi i qershorit

Lubjanë, 9 maj 2024 (MIA) - Qeveria sllovene sot ka filluar procedurat për njohje të shtetit Palestinë si formë presioni për ndërprerje të konfliktit në Gaza, publikoi sot kryeministri slloven, Robert Golob, i cituar nga mediat britanike.

"Tmerret që i shikojmë çdo ditë në Gaza janë të padurueshme dhe duhet të ndalojnë. I bëj thirrje Izraelit menjëherë t'i ndalojë sulmet ndaj Gazës dhe ta shfrytëzojë tryezën negociuese", tha Golob në profilin qeveritar të rrjetit social "Iks".

Golob theksoi se ai do të dëshironte që njohja e Palestinës nga Sllovenia të ishte një "nxitëse për të përshpejtuar këto negociata" dhe për të përshpejtuar dialogun në Kombet e Bashkuara për një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e pengjeve dhe sigurinë dhe ekzistencën e Izraelit përmes një zgjidhjeje për të dyja shtetet.

Lajmi vjen mes raporteve se Irlanda, Spanja dhe disa vende të tjera të BE-së po shqyrtojnë njohjen e një shteti palestinez më 21 maj, sipas televizionit shtetëror irlandez.

"Data kur Sllovenia do ta njohë Palestinën do të varet nga suksesi i negociatave për paqen, por jo më vonë se 13 qershori", tha kryeministri slloven.

Nëse negociatat përfundojnë me sukses më herët, Sllovenia do ta përfundojë procedurën e njohjes më shpejt. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR