Sllaveski: Të sigurojmë inflacion të ulët dhe të qëndrueshëm për mbështetjen e ekonomisë
- Kurs fiks i këmbimit dhe inflacion i ulët dhe i qëndrueshëm në kuadër të eurozonës, mbrojtje e interesave të qytetarëve dhe ekonomisë, paralajmëron guvernatori i ri i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski në një video intervistën për MIA-n, e para pas emërimit në këtë post.
- Post By Fami Bajrami
- 14:53, 5 qershor, 2025
Shkup, 5 qershor 2025 (MIA) - Kurs fiks i këmbimit dhe inflacion i ulët dhe i qëndrueshëm në kuadër të eurozonës, mbrojtje e interesave të qytetarëve dhe ekonomisë, paralajmëron guvernatori i ri i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski në një video intervistën për MIA-n, e para pas emërimit në këtë post.
"Kursi fiks i këmbimit që i ka shërbyer mirë Republikës së Maqedonisë do të mbetet edhe në periudhën e ardhshme, të shpresojmë për hyrjen e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian në të ardhmen dhe përgatitje për vendosjen e euros me këtë regjim fiks të kursit devizor. E vetmja gjë për të cilën duhet të përpiqemi, që është qëllim ligjor i BPRM-së në bashkëpunim me pushtetin fiskal, përkatësisht Ministrinë e Financave është të sigurojmë inflacion të ulët, përkatësisht stabilitet të çmimeve. Inflacioni të jetë brenda eurozonës, sepse vetëm kësisoj do të mund të mbajmë konkurrueshmërinë e ekonomisë sonë. Nëse, si në vitet e fundit, kemi inflacion ose një normë inflacioni dy herë më të lartë se ajo në eurozonë, kjo nuk është situatë e dëshirueshme. Mendoj se është imperativ, për aq sa kam informacion, që është gjithashtu një vendim i prerë, qëndrim i Qeverisë, se vetëm inflacioni i ulët dhe i qëndrueshëm që ofron parashikueshmëri si për qytetarët ashtu edhe për bizneset mund të jetë bazë dhe mbështetje për politikat zhvillimore në të ardhmen që do të sigurojnë rritje të qëndrueshme të dëshiruar të ekonomisë së vendit si në afatmesëm ashtu edhe në atë afatgjatë", ka thënë Sllaveski për MIA-n.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të jenë të qetë sepse, siç thekson ai, kursimet e tyre janë të sigurta dhe shton se Banka Popullore do të sigurojë parashikueshmëri për subjektet afariste në mënyrë që të mund të planifikojnë operacionet dhe planet e tyre të zhvillimit.
Në intervistën që MIA do ta publikojë të plotë sot, me Sllaveskin flasim edhe për pritjet e tij për rritjen ekonomike, sigurimin e stabilitetit në sektorin bankar, si dhe mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe biznesit me norma më të ulëta interesi.
Ai ka komentuar gjithashtu edhe reagimet dhe akuzat në opinion se emërimi i tij është i motivuar politikisht dhe ndan vizionin e tij për punën e bankës qendrore në shtatë vitet e ardhshme.
Foto: MIA