• e shtunë, 06 dhjetor 2025

S'ka konstituim, dështon sërish zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës

S'ka konstituim, dështon sërish zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës

Prishtinë, 25 prill 2025 (MIA)- Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar sërish të zgjedh Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit edhe në tentimin e katërt.

Emri i Haxhiut u propozua edhe të premten më 25 prill nga nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca.

Konjufca kërkoi mirëkuptimin e deputetëve për siç tha ai, zhbllokimin e situatës.

“Emri ynë i vetëm është Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Ju kërkoj mirëkuptimin tuaj t'i kontribuoni zhbllokimit të kësaj situate në të cilën kemi mbetur në mënyrë që të kalojmë në faza tjera të zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha Konjufca, informon Kosovapress.

Me 118 deputetë të pranishëm në sallë, Albulena Haxhiu mori 57 vota për, 47 kundër dhe 3 abstenime.

“Sërish e kemi rezultatin për 57 vota, 47 janë kundër, kemi edhe tre abstenime, në bazë të kësaj kandidatja nuk votohet dhe detyrohemi ta ndërpresim seancën. 27 prill, sërish në orën 10 shihemi përsëri”, tha kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Ky ishte tentimi i gjashtë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Partitë që deri më tash ishin në opozitë kanë deklaruar se emri i Haxhiut është i papranueshëm për kryetare të Kuvendit. Ndërkaq, LVV-ja këmbëngul në propozimin e njëjtë.

Foto: Kosovapress

 

QËNDRONI TË LIDHUR