• e premte, 05 dhjetor 2025

Situata në Sveida të Sirisë është nën kontroll

Situata në Sveida të Sirisë është nën kontroll

Damask, 20 korrik 2025 (MIA) - Situata në qytetin e Sveidës thuhet se është nën kontroll pas disa ditësh dhunë vdekjeprurëse midis druzëve dhe beduinëve, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme siriane.

Qyteti me shumicë druze është pastruar nga të gjithë luftëtarët fisnorë dhe përleshjet në lagje kanë mbaruar, thuhet në deklaratë. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, një monitorues i luftës, tha se kishte qetësi të kujdesshme.

Luftimet në Sveida, të cilat shpërthyen një javë më parë, kanë lënë qindra të vdekur dhe kanë rezultuar në një situatë të tmerrshme humanitare dhe një eksod masiv të civilëve nga provinca, sipas aktivistëve.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marko Rubio, kërkoi që luftimet të "ndërpriten menjëherë", në një postim në "X", dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund përdhunimeve dhe masakrave të njerëzve të pafajshëm.

Gati 1,000 njerëz janë vrarë që nga 13 korriku si pasojë e luftimeve në Sveida, tha Observatori me seli në Britani të Madhe, i cili mbështetet në një rrjet gazetarësh në Siri.

Druzët janë një pakicë fetare që doli nga Islami shiit dhe jeton kryesisht në Siri, por edhe në Izrael, Liban dhe Jordani. Sveida është vatra e tyre.

Pas shpërthimit të dhunës, trupat qeveritare siriane ndërhynë.

Izraeli ka thënë se ka detyrë të mbrojë druzët. Shumë prej tyre shërbejnë në ushtrinë izraelite. Më herët këtë javë, Izraeli kreu sulme ajrore në Sveida dhe mbi institucionet qeveritare në Damask.

Situata mbetet e brishtë në Siri nën drejtimin e presidentit të ri, Ahmed al-Shara, i cili mori pushtetin pas rrëzimit të sundimtarit të hershëm Bashar al-Asad gjashtë muaj më parë. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR