• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Singu: Pentagoni nuk sheh kurrfarë indikacione se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore në Ukrainë

Singu: Pentagoni nuk sheh kurrfarë  indikacione se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore në Ukrainë

Uashington, 20 nëntor 2024 (MIA) - Ministria amerikane e Mbrojtjes nuk ka informacione se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore në territorin e Ukrainës, deklaroi mbrëmë Sabrina Sing, zëdhënëse e Pentagonit.

"Ne nuk jemi të befasuar nga përditësimi i doktrinës bërthamore ruse. Kjo është diçka për të cilën ata kanë aluduar… gjatë javëve të fundit. Kjo është e njëjta retorikë e papërgjegjshme që kemi parë edhe më parë, dhe sinqerisht, për dy vitet e fundit. Kjo është diçka që do të vazhdojmë ta monitorojmë. Por, nuk kemi kurrfarë indikacionesh se Rusia po përgatitet të përdorë armë bërthamore në territorin e Ukrainës, dhe nuk shohim nevojë për të bërë ndryshime në qëndrimin tonë bërthamor", deklaroi Sing në pyetjen e një gazetari.

Singu nuk u pajtua me deklaratën e ish-presidentit Donald Trampit se ngjarjet e fundit e kanë sjellë botën më afër Luftës së Tretë Botërore.

"Sa i përket komenteve për përshkallëzimin dhe mundësinë e një lufte më të madhe,  nuk pajtohemi me atë mendim. Besojmë se Rusia e ka përshkallëzuar vetë këtë luftë, duke përfshirë më shumë se 11.000 trupa nga Koreja e Veriut", tha Singu.
 
Ajo përsëriti se SHBA-ja nuk kanë ndryshuar politikën e tyre në lidhje me përdorimin e armëve amerikane nga ukrainasit për sulme në territorin rus, duke shtuar se administrata do të vazhdojë t'i ofrojë Kievit ndihmën e premtuar më parë dhe në shkallë të plotë. qa/

Foto: Arkivi i MIA-s
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR