• e premte, 05 dhjetor 2025

Siljanovska - Davkova nga Tirana: Pengesë më serioze është bilateralizimi i procesit të integrimit nga vetë fqinjët ballkanikë

Siljanovska - Davkova nga Tirana: Pengesë më serioze është bilateralizimi i procesit të integrimit nga vetë fqinjët ballkanikë

Tiranë, 16 qershor 2025 (MIA) – Sa më të bashkuar të jemi, aq më rezistues do të jemi ndaj çdo sfide. Besoj në unitetin rajonal dhe bëj thirrje për një zë të qartë, të fortë dhe të vetëm rajonal që do të formësojë të ardhmen tonë të përbashkët në Evropë, është mesazhi nga presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj dhe presidentin bullgar Rumen Radev pas përfundimit të Samitit të sotëm të shefave të shteteve dhe qeverive pjesëmarrëse në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) i cili u mbajt në Tiranë.

"Ne gjithmonë kemi qenë jo vetëm një pjesë gjeografike e Evropës, por edhe historikisht dhe kulturalisht. Është koha që edhe politikisht të bëhemi pjesë e Evropës. Unë nuk e quaj këtë riintegrim, e quaj si ribashkim sepse nuk mund të jetë e përfunduar pa ne", ka thënë Siljanovska-Davkova.

Ajo shtoi se nuk duhet të lejojmë veten të jemi një periferi gjeopolitike dhe gjeoekonomike. Ne kemi nevojë, theksoi ajo, për bashkëpunim infrastrukturor, ekonomik, energjetik, digjital, sepse përmes bashkëpunimit do të ndërtojmë një rajon më të fortë, më të lidhur dhe më konkurrues.

"Të mos presim të na respektojnë nëse nuk respektojmë njëri-tjetrin. Mbështes dhe mbështesim një treg të përbashkët rajonal dhe integrimin e tregut tonë në atë evropian. Kjo duhet të lidhet me reformat dhe kjo është ajo që na e mundëson plani i rritjes së BE-së", tha Siljanovska-Davkova në konferencën për shtyp.

Duke u dërguar urime nikoqirëve - Shqipërisë për kryesimin e tyre aktual të SEECP dhe atyre të ardhshëm - Bullgarisë, presidentja Siljanovska-Davkova përsëriti edhe një herë se është e qartë për të gjithë ne se rruga drejt së ardhmes sonë evropiane kalon përmes bashkëpunimit dhe solidaritetit rajonal. Në këtë drejtim, ajo madje shprehu mirënjohje të thellë për solidaritetin e treguar pas rastit tragjik në Koçan.

Ajo theksoi se është me rëndësi përgjegjësia e shteteve anëtare nga rajoni pasi ato duhet të jenë nxitës të zgjerimit, jo burim bllokadash që dëmtojnë besueshmërinë e Unionit.

Duke theksuar se një pengesë edhe më serioze është bilateralizimi i procesit të integrimit nga vetë fqinjët ballkanikë, përmes abuzimit me të drejtën e vetos, kushtëzimit të identitetit dhe revizionizmit historik, Siljanovska Davkova vlerësoi se këto veprime jo vetëm që ngadalësojnë procesin e eurointegrimit, por edhe përforcojnë stereotipat se Ballkani nuk është gati për Evropën.

Foto: MIA

 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR