• e premte, 05 dhjetor 2025

Sibiha: Ukrainës i duhen garanci ushtarake dhe diplomatike

Sibiha: Ukrainës i duhen garanci ushtarake dhe diplomatike

Kiev, 26 gusht 2025 (MIA) - Ministri i Jashtëm ukrainas Andrij Sibiha tha në një bisedë telefonike me sekretarin e shtetit të SHBA-së Marko Rubio se garancitë e sigurisë që duhet të marrë Kievi duhet të përfshijnë masa ushtarake, diplomatike dhe ligjore.

Në bisedën telefonike morën pjesë edhe ministrat e jashtëm të disa vendeve evropiane dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë  të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas.

Sibiha vuri në dukje se biseda bazohej në kontaktet e mëparshme midis udhëheqësve të Ukrainës dhe SHBA-së, vizitën e suksesshme të presidentit ukrainas Volodimir Zelenski në Uashington dhe punën e këshilltarit të sigurisë kombëtare, raporton Ukrinform.

"Unë riafirmova qëndrimin e Ukrainës se garancitë e sigurisë duhet të jenë konkrete, ligjërisht të detyrueshme dhe efektive", tha ai, duke shtuar se ato gjithashtu "duhet të jenë shumëdimensionale, duke përfshirë nivele ushtarake, diplomatike, ligjore dhe të tjera".

Sibiha theksoi se forcimi i ushtrisë ukrainase është një pjesë kyçe e çdo garancie, duke shtuar se Kievi është gati të ndërmarrë hapa të mëtejshëm për të arritur paqen.

"Jemi të gatshëm për takime në nivel udhëheqësish në çdo format dhe vendndodhje gjeografike. Jemi të gatshëm të ndalojmë vrasjet dhe t'i japim një shans diplomacisë. Nëse Rusia vazhdon të refuzojë hapa të rëndësishëm dhe konstruktivë drejt paqes, ajo duhet të përballet me pasojat: një shtrëngim serioz të sanksioneve dhe forcim të potencialit të Ukrainës", theksoi ministri i jashtëm ukrainas.

Departamenti i Shtetit njoftoi njëkohësisht se zyrtarët ranë dakord të "vazhdojnë koordinimin e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë përmes një zgjidhjeje afatgjatë të negociuar". sa/

foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR