• e diel, 22 dhjetor 2024

Sibiha në mbledhjen e OSBE-së: Lavrovi është kriminel lufte

Sibiha në mbledhjen e OSBE-së: Lavrovi është kriminel lufte

Valeta, 5 dhjetor 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës, Andrij Sibiha e quajti shefin e diplomacisë ruse, Sergej Lavrov "kriminel lufte" në mbledhjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Evropë (OSBE).

Sibiha këtë akuzë e ka bërë në prani të vetë Lavrovit. 

"Ukraina vazhdon të luftojë për të drejtën e ekzistencës. Krimineli i luftës që është ulur në këtë tavolinë duhet ta dijë se Ukraina do ta fitojë të drejtën e saj dhe drejtësia do të ngadhnjejë", deklaroi Sibiha. 

"Rusia dëshiron një botë me zona ndikimi, por komuniteti ndërkombëtar duhet ta kundërshtojë atë me forca të përbashkëta dhe të rrisë me vendosmëri çmimin që duhet të paguajë agresori rus për luftën, duke e detyruar Moskën të pranojë një paqe të drejtë", deklaroi Sibiha, raporton Ukrinform. Agjencia vë në dukje se diplomati u largua nga seanca plenare e OSBE-së pasi bëri vërejtjet e tij dhe përpara se të fillonte të fliste ministri i jashtëm rus, Sergej Lavrov.

"Nga Lufta e dytë botërore, Evropa nuk ka parë këtë nivel krimesh, vrasjen e civilëve, rrëmbimin e fëmijëve, ekzekutimin e të burgosurve të luftës dhe krime të tjera të tmerrshme. Moska përpiqet të justifikojë të gjitha këto me të ashtuquajturat "shqetësime legjitime të sigurisë". Zgjedhja e së ardhmes së kombit tim nuk është një shqetësim legjitim për sigurinë e Rusisë. Në fakt, vetë Rusia është shqetësimi më i madh i sigurisë në botë. Prej qindra vitesh", theksoi Sibiha. 

Në të njëjtën kohë, ai theksoi se “rusët gënjejnë kur thonë se duan paqe”.

"Ata flasin për negociata vetëm për ta tërhequr vëmendjen nga ajo që me të vërtetë po e bëjnë. Shikoni veprimet e tyre, jo fjalët e tyre. Në fakt, Rusia vazhdon të zgjerojë luftën", tha ministri ukrainas. qa/

Foto: EPA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR