• e hënë, 23 dhjetor 2024

Si pas takimit me Blinken në Pekin: Kina dhe SHBA bënë përparim dhe arritën një marrëveshje për disa tema specifike

Si pas takimit me Blinken në Pekin: Kina dhe SHBA bënë përparim dhe arritën një marrëveshje për disa tema specifike

Pekin, 19 qershor 2023 (MIA) - Presidenti kinez Si Xhinping sot në Pekin u takua me sekretarin shtetëror amerikan Antoni Blinken në kushte të tensioneve në rritje ndërmjet dy fuqive botërore, lajmëroi DPA.

Takimi, i cili u konfirmua në momentin e fundit, u zhvillua në ditën e dytë të vizitës së kreut të diplomacisë amerikane në Kinë.

Si i përshkroi bisedimet si "shumë të mira" dhe tha se "të dyja palët gjithashtu bënë përparim dhe arritën marrëveshje për disa tema specifike".

"Marrëdhëniet midis vendeve duhet të bazohen gjithmonë në respektin dhe ndershmërinë reciproke", tha Si, duke shtuar se ai shpresonte se vizita e Blinken do të ndihmonte "stabilizimin e marrëdhënieve midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës"

Kjo është vizita e parë e sekretarit shtetëror amerikan të Kinës nga viti 2018.

Lajmi se Si do të zhvillojë bisedime me Blinken shihet si një gjest i veçantë dhe një shenjë se Pekini dëshiron të qetësojë tensionet në rritje midis fuqive rivale.

Biseda me Si vjen pas dy ditësh diplomaci intensive dypalëshe.

DPA kujton se Blinken më herët gjatë ditës së sotme është takuar edhe me përfaqësuesin më të lartë zyrtar të politikës së jashtme të Pekinit, Vang Ji, i cili në hierarkinë e fuqisë së Kinës gjendet  mbi shefin e diplomacisë, Çin Gang.

Sipas mediave shtetërore kineze, Vang tha se vizita e Blinken vjen në "një moment kritik për marrëdhëniet amerikano-kineze", të cilat janë në "rënie".

Dje, Blinken bisedoi me ministrin Çin për 7.5 orë - që ishte kohë shumë më e gjatë se sa ishte planifikuar. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR