• e premte, 05 dhjetor 2025

Shukova prezantoi vizionin për Çarshinë e Vjetër të Shkupit

Shukova prezantoi vizionin për Çarshinë e Vjetër të Shkupit

Shkup, 10 tetor 2025 (MIA) - Kandidatja për kryetare të Qytetit të Shkupit nga LSDM dhe koalicioni, Kaja Shukova, prezantoi sot vizionin e saj për Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Sipas saj, Çarshia është shpirti i Shkupit, por, siç thotë, është e ngulfatur nga papastërtia, kaosi administrativ dhe neglizhenca institucionale.

"Plani ynë është i qartë, vizioni është t'ua kthejmë Çarshinë shkupjanëve. Unë kam zgjidhje. Pastrim i përditshëm, pajisje të reja urbane, ndriçim publik dhe zona Ëi-Fi, me respekt për pamjen autentike", deklaroi Shukova përpara monumentit të Skënderbeut.

Nëse fiton besimin e shkupjanëve, premton edhe mbështetje për shitësit dhe zejtarët, me fonde buxhetore për rikonstruimin e dyqaneve, ndihmë ligjore dhe financiare dhe shkolla të hapura për zejtarë dhe punëtori mjeshtrash.

"Qëllimi ynë është që Çarshia më në fund të ketë një qendër të vetme menaxhimi nën juridiksionin e plotë të Qytetit të Shkupit. Pa labirinte midis institucioneve, por një administratë efikase të shpejtë dhe transparente për të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë atje", theksoi Shukova.

Ajo paralajmëroi poashtu mbështetje për kulturën, apo rikonstruimin e Suli Anit, mbështetjen për studentët e arteve të bukura, hapjen e studiove të artit dhe programeve kulturore.

"Kemi plan për të zhvilluar platformë digjitale për turistët, karakteristika gjuhësore, infrastrukturë të përmirësuar për këmbësorët dhe rrugë kulturore evropiane, sepse Çarshia duhet të tërheqë turistë, të jetojë dhe të rritet. Ky nuk është një premtim tjetër. Ky është një vizion që e kthen Çarshinë si zemrën e gjallë të Qytetit të Shkupit, sepse ne po luftojmë për shtëpinë tonë", shtoi kandidatja për kryetar komune për Shkupin nga LSDM dhe koalicioni. 

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR