Shtypi amerikan për tensionet në Los Anxhelos
- Pentagoni njoftoi dje se po mobilizon 2,000 trupa të tjera të Gardës Kombëtare dhe rreth 700 marinsa në gatishmëri të trazirave të lidhura me imigracionin. Ky veprim rrit numrin e trupave që do të vendosen në Los Anxhelos në rreth 4,700. Protestat në qytet shpërthyen pasi oficerët federalë arrestuan emigrantë në një operacion special të premten. Demonstratat u përhapën shpejt dhe përshkallëzimi i tensioneve vazhdon të jetë një temë kryesore në shtypin amerikan sot.
- Post By Fami Bajrami
- 15:47, 10 qershor, 2025
Nju jork, 10 qershor 2025 (MIA) - Pentagoni njoftoi dje se po mobilizon 2,000 trupa të tjera të Gardës Kombëtare dhe rreth 700 marinsa në gatishmëri të trazirave të lidhura me imigracionin. Ky veprim rrit numrin e trupave që do të vendosen në Los Anxhelos në rreth 4,700. Protestat në qytet shpërthyen pasi oficerët federalë arrestuan emigrantë në një operacion special të premten. Demonstratat u përhapën shpejt dhe përshkallëzimi i tensioneve vazhdon të jetë një temë kryesore në shtypin amerikan sot.
Një zyrtar i lartë në administratën e Donald Trampit, mbrëmë deklaroi se njësi ushtarake po dërgohen në Los Anxhelos, duke përmendur kërcënime në rritje ndaj punonjësve federalë dhe ndërtesave qeveritare, raportoi “Uollstrit Xhurnal”.
Edhe pse Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Njusom, ka deklaruar publikisht se situata është stabilizuar, Tramp të shtunën autorizoi Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegset, të përdorë forcën ushtarake për të mbrojtur zyrtarët e imigracionit dhe objektet e imigracionit nga protestuesit, përkujton gazeta.
Anëtarët e Gardës Kombëtare punojnë me kohë të pjesshme dhe zakonisht janë nën drejtimin e guvernatorit të shtetit. Ushtarët në detyrë aktive i përgjigjen vetëm komandantit të përgjithshëm dhe përqendrohen në mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara, shpjegon gazeta.
Zyrtarët thanë se roli i Gardës Kombëtare dhe i Korpusit të Marinës në Los Anxhelos do të ishte i kufizuar, por natyra e gjerë e urdhrit presidencial ngre shqetësime se ai mund të përgatisë terrenin për veprime të ardhshme ushtarake kundër protestuesve në pjesë të tjera të vendit, komenton “Uollstrit xhurnal”.
"Kjo është ëndrra e Trampit," i tha gazetës Seth Moulton, një kongresmen demokrat. Ai është gjithashtu një oficer i Marinës dhe shërbeu në Luftën e Irakut. Tramp "donte të bënte pikërisht këtë - ta kthente ushtrinë kundër popullit amerikan," tha Moulton, i cituar nga “Uollstrit Xhurnal”.
“Donald Tramp nuk e ka respektuar kurrë atë që bëjnë marinsat jashtë vendit dhe gjithmonë ka dashur t’i përdorë ata për të shtyrë përpara agjendën e tij politike në vend”, theksoi kongresmeni demokrat.
Pentagoni nuk shpjegoi në deklaratën e tij të djeshme se çfarë e shtyu vendosjen e 2,000 trupave të Gardës Kombëtare në Kaliforni, shkruan “Nju Jork Tajms”. Megjithatë, për zyrtarët shtetërorë dhe të qytetit, ekspertët ligjorë dhe demokratët në Kongres, vendosja e marinsave në detyrë të rregullt është më shqetësuese, vëren gazeta. Tradita dhe ligji kërkojnë që njësitë ushtarake amerikane të përdoren në tokën amerikane vetëm në situata jashtëzakonisht të rralla dhe ekstreme, komenton gazeta.
“Ky është një provokim, jo vetëm një përshkallëzim”, tha guvernatori Njusom për “Nju jork tajms”. “Qëllimi është të mbjellim më shumë frikë, më shumë zemërim dhe më shumë përçarje”, shtoi ai.
Shteti i Kalifornisë ka ngritur një padi kundër qeverisë federale, duke pretenduar se Trampi ka kryer një “uzurpim të paparë të pushtetit dhe burimeve shtetërore” duke marrë kontrollin e Gardës
Kombëtare dhe duke dërguar trupa në Los Anxheles, shtoi “Nju jork tajms”. Padia gjithashtu pretendon se Trampi po shkel si ligjin federal ashtu edhe Kushtetutën dhe kërkon një urdhër gjykate për të anuluar vendosjen e trupave dhe për t'ia kthyer kontrollin e Gardës Kombëtare Guvernatorit Njusom. Trajtimi i protestave është një detyrë për të cilën policia dhe departamentet e sherifit të Los Anxheles janë më të pajisura, tha padia.
Njusom paralajmëroi guvernatorët e tjerë në vend të martën se Trampi mund të fillojë të shtypë protestat në shtetet e tyre për shkak të goditjes së qeverisë ndaj imigracionit, shtoi "Nju jork tajms".
"Historia amerikane duhet ta bëjë çdo president të kujdesshëm ndaj vendosjes së trupave për të shuar trazirat e brendshme, qoftë Garda Kombëtare apo ushtria aktive", shkroi kolumnisti i “Uashington Post” Maks Buth. Një nga ngjarjet që çuan në Revolucionin Amerikan, në fund të fundit, ndodhi në Boston në vitin 1770, kur trupat britanike u vendosën në përgjigje të protestave për taksat. Në vend që të shuanin rebelimin që po lindte, trupat britanike e nxitën atë”, shtoi Buth.
Presidenti Tramp po luan me zjarrin duke marrë kontrollin e Gardës kombëtare të Kalifornisë dhe duke dërguar trupa në Los Anxheles pavarësisht kundërshtimeve të Guvernatorit Njusom, paralajmëroi një kolumnist i Uashington Post-it.
Trampi tha të dielën se Los Angeles është "i pushtuar nga emigrantë dhe kriminelë të paligjshëm" dhe se po pushtohet nga "turma rebele". Ai urdhëroi autoritetet federale të "çlirojnë Los Anxhelesin nga pushtimi i emigrantëve dhe t'i japin fund këtyre trazirave të emigrantëve". Both beson se retorika provokuese e presidentit është e pabazuar.
Kalimet e paligjshme të kufirit janë në nivelet e tyre më të ulëta në dekada. Krimi i dhunshëm gjithashtu po bie me shpejtësi në të gjithë vendin, përfshirë Los Anxhelesin, vëren autori i artikullit. E vetmja gjendje e jashtëzakonshme po shpallet nga administrata Tramp, e cila po urdhëron Zbatimin e Imigracionit dhe Doganave të bëjë të paktën 3,000 arrestime në ditë, nënvizon Buth.
Kjo nuk është hera e parë që Trampi ka qenë i etur të dërgojë trupa në rrugë. Ai u përpoq ta bënte këtë gjatë protestave për vdekjen e George Flojd në vitin 2020. Trampi thuhet se i bëri thirrje gjeneralit Mark Millei, atëherë kryetar i Shefave të përbashkët të Shtabit dhe më pas Sekretarit të mbrojtjes Mark Esper që të “thyenin kafka” dhe pyeti nëse trupat mund t’i qëllonin protestuesit në këmbë. Esper dhe Millei i kanë hedhur poshtë me forcë akte të tilla të dhunës shtetërore ose madje kanë refuzuar të dërgojnë trupa në detyrë aktive. Garda Kombëtare është vendosur, por në përgjithësi ka vepruar me përmbajtjen e nevojshme,” vazhdon Buth në rubrikën e tij në Uashington Post.
Autori i artikullit ndalet gjithashtu në rolin e Sekretarit aktual të Mbrojtjes Hegseth. Mandati i Hegsethit deri më tani është shënuar nga trazira të vazhdueshme dhe një skandal që lidhet me përdorimin e një bisede të pambrojtur në aplikacionin Signal, ku ai ndau informacione rreth një sulmi të planifikuar ushtarak ndaj Huthëve në Jemen, përmend Buth. Pretendohet se edhe Trampi ishte i pakënaqur me të për shkak të përshtypjes së keqe që krijoi në publik dhe për shkak të gatishmërisë së tij për të informuar Elon Mask (i cili ka interesa të rëndësishme biznesi në Kinë) rreth planeve të Pentagonit për të luftuar gjigantin ekonomik, shton komentuesi i Uashington Post.
Prandaj nuk është për t'u habitur që në përballjen me protestat në Los Anxheles, Hegseth duket se vepron më shumë si katalizator sesa si frenim i instinkteve më të këqija të presidentit, konsideron Buth. Sekretari i Mbrojtjes Hegseth duket shumë i gatshëm t'i vërë trupat në një situatë ku ata rrezikojnë të bëhen gurë shahu politikë në përpjekjen e qeverisë për të ndezur një krizë që do t'i lejojë presidentit të forcojë pushtetin e tij ekzekutiv. Tani u takon vetë ushtarëve të ruajnë nderin e tyre dhe të mos bëjnë asgjë që do të shkelte të drejtat e Amendamentit të Parë për të cilat breza të tërë të paraardhësve të tyre luftuan për t'i mbrojtur, konkludon kolumnisti i “Uashington Post”-it.
Foto EPA