Shtatë persona të lënduar në zjarrin në Koçan transportohen në Spanjë
- Dy spitale publike në Madrid, Spanjë do të marrin për trajtim shtatë persona të lënduar në zjarrin katastrofik në lokalin e natës në qytezën Koçan, Maqedonia e Veriut, të cilët pritet të mbërrijnë së shpejti, njoftuan sot gazetat spanjolle "ABC Madrid" dhe "20Minutos", duke cituar informacione të konfirmuara nga zëdhënësi i Qeverisë së Spanjës, Migel Anhel Garsia.
- Post By Melahat Baftija
- 16:14, 20 mars, 2025

Shkup, 20 mars 2025 (MIA) - Dy spitale publike në Madrid, Spanjë do të marrin për trajtim shtatë persona të lënduar në zjarrin katastrofik në lokalin e natës në qytezën Koçan, Maqedonia e Veriut, të cilët pritet të mbërrijnë së shpejti, njoftuan sot gazetat spanjolle "ABC Madrid" dhe "20Minutos", duke cituar informacione të konfirmuara nga zëdhënësi i Qeverisë së Spanjës, Migel Anhel Garsia.
Lajmin për MIA-n e konfirmuan nga Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë.
Siç njofton "ABC Madrid", bëhet fjalë për spitalet në La Paz dhe Getafe, të cilët do t'i hapin dyert për këta shtatë pacientë të cilët u lënduan rëndë nga zjarri që shpërtheu në Maqedoninë e Veriut javën e kaluar, me kërkesë të autoriteteve maqedonase.
Nga shtatë transferimet që priten së shpejti, pesë do të shkojnë në spitalin në La Paz dhe dy në spitalin Getafe, i cili është një qendër e njohur ndërkombëtarisht për trajtimin e djegieve. Së shpejti pritet ardhja e këtyre pacientëve dhe spitalet kanë përgatitur gjithçka për ta.
Gazeta "20Minutos" raporton se repartet e djegieve të spitaleve publike në La Paz dhe Getafe do të presin në ditët në vijim shtatë persona nga Maqedonia e Veriut, të cilët u plagosën rëndë nga zjarri që shpërtheu gjatë një festë në një lokal nate në qytetin verilindor të Koçanit fundjavën e kaluar. Ky incident tragjik mori jetën e afro 60 personave, plagosi 155 persona në shkallë të ndryshme dhe çoi në 15 arrestime për shkak të kushteve të parregullta në klubin e natës. mb/
Foto: printskrin