• e shtunë, 23 nëntor 2024

Shtajnmaer drejtuar Sakelaropulut për reparacionet gjermane: Për ne çështja ligjërisht është mbyllur

Shtajnmaer drejtuar Sakelaropulut për reparacionet gjermane: Për ne çështja ligjërisht është mbyllur

Athinë, 30 tetor 2024 (MIA) – Për ne çështja e reparacioneve (dëmshpërblimeve) konsiderohet si e kryer, thekson presidenti i Gjermanisë, Frank-Valter Shtajnmaer në takimin me presidenten greke Katerina Sakelaropulou lidhur me dëmshpërblimet gjermane nga Lufta e Dytë Botërore që Greqia po e kërkon nga Gjermania, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Çështjen e reparacioneve gjermane e ka ngritur Sakelaropulu e cila tha se është e rëndësishme për popullin grek dhe është çështje që ka mbetur e pazgjidhur, por se “miqësia greko-gjermane bazohet në dialogun e ndershëm dhe respektin reciprok”.

"Në këtë frymë dëshiroj të theksoj, bazuar në vendimin përkatës të Kuvendit të Greqisë nga viti 2019, rëndësinë e madhe që ka për popullin grek çështja e dëmshpërblimit të luftës dhe kredisë okupuese e cila mbetet e pazgjidhur. Siç tregoi prania jonë e përbashkët dje në Muzeun e holokaustit në Selanik, si dhe vizita juaj në Kandano nesër, duhet të flasim sinqerisht për plagët e hapura të së kaluarës. Rimëkëmbja e tyre do të forcojë më tej marrëdhëniet tona bilaterale në të ardhmen", thekson Sakelaropulu.

Shtajnmaer shprehu kënaqësinë për vizitën e djeshme në Selanik për siç tha “përgjegjësinë gjermane mbi krimet e kryera nga gjermanët para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore”, por ritheksoi edhe qëndrimin gjerman.

"Në lidhje me qëndrimit tonë ligjor për çështjen e dëmshpërblimeve është i ndryshëm dhe ju e dini këtë. Mendimi ynë është se ligjërisht kjo çështje konsiderohet e mbyllur. Megjithatë, mbetemi të përkushtuar ndaj përgjegjësisë sonë historike, jo vetëm në lidhje me Selanikun, por edhe në vendet e tjera. Kjo ishte edhe arsyeja që më shtyu të vendos në kontakt me të mbijetuarit në Selanik, me komunitetin hebre dhe të bisedojmë se si mund të krijojmë një monument në kujtim të njerëzve të humbur. Ky ishte fillimi i gjithë idesë për krijimin e një muzeu në Selanik, jo vetëm për viktimat e holokaustit, por edhe për të gjitha viktimat e pushtimit gjerman", ka thënë presidenti gjerman.

 

Dëmshpërblimet gjermane kanë qenë një nga temat e takimit të Shtajmaerit me kryeministrin grek Kiriakos Micotakis i cili fillimisht falënderoi presidentin gjerman që zgjodhi të vizitojë nesër Kretën dhe Muzeun përkujtimor në Kandano për siç tha ai, "t’i njihni me praninë tuaj mizoritë naziste që ndodhën në ishull gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

"Siç e dini, për Greqinë çështja e dëmshpërblimeve dhe veçanërisht kredinë e detyrueshme okupuese, janë çështje që janë ende ‘të gjalla’ dhe shpresojmë t’i zgjidhim në një moment. Megjithatë, dua t'i jap një vlerë të veçantë pranisë tuaj në Greqi, në Kretë. Besoj se është një gjest me rëndësi të madhe për ne", tha Micotakisi.

Vizitën treditore në Greqi, presidenti gjerman do ta përfundojë nesër me vizitën në ishullin e Kretës dhe në Muzeun memorial.

Foto: Kabineti i presidentes greke/ kabineti i kryeministrit grek

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR