Shtëpia e Bardhë për armëpushimin treditor të ofruar nga Putini: Tramp dëshiron ndërprerje të përhershme të zjarrit
- Presidenti amerikan, Donalld Tramp qartë bëri me dije se dëshiron ndërprerje të përhershme të zjarrit në Ukrainë, dhe jo ndërprerje të përkohshme të armiqësive, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Livit.
- Post By Arta Bunjaku
- 17:00, 28 prill, 2025
Uashington, 28 prill 2025 (MIA) - Presidenti amerikan, Donalld Tramp qartë bëri me dije se dëshiron ndërprerje të përhershme të zjarrit në Ukrainë, dhe jo ndërprerje të përkohshme të armiqësive, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolin Livit.
Ajo foli shkurtë pasi që presidenti rus, Vlladimir Putin kumtoi armëpushim treditor prej 8 deri më 11 maj, me rastin e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
"Presidenti dëshiron të shohë armëpushim të përhershëm që do t'i ndalojë vrasjet dhe gjakderdhjen", tha Livit.
Ajo shtoi se Trampi "mbetet optimist" lidhur me mundësinë për arritje të marrëveshjes, por se është "gjithnjë e më i frustruar nga liderët e të dy palëve" të cilët, siç tha ajo, "duhet të ulen dhe të negociojnë për dalje nga konflikti". Livit, gjithashtu, theksoi se takimi i kohëmëparshëm mes Trampit dhe presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski në bazilikën "Shën Pjetri" tregoi se Trampi "dëshiron të jetë president i cili sërish do të sjellë paqe, siç ishte në mandatin e tij të parë".
Paraprakisht sot, Kremlini kumtoi se planifikon t'i ndërprejë luftimet në Ukrainë nga mesnata e 7 majit drejt 8 majit, deri më 11 maj, me rastin e 80-vjetorit të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Kremlini kumtoi se pret që Ukraina ta pranojë armëpushimin, por paralajmëroi se, në rast të shkeljes së tij, forcat ruse "do të përgjigjen në mënyrë adekuate dhe efikase". Në të njejtën kohë, Rusia edhe njëherë e shprehi gatishmërinë e vet për negociata paqësore pa parakushte. ab/
Foto: МIА arkivi