Shtëpia e Bardhë ka hapur llogari zyrtare në TikTok në prag të ndalesës së mundshme
- Shtëpia e Bardhë ka hapur një llogari zyrtare në TikTok, ndërsa afrohet afati i ri për kompaninë ByteDance për të shitur operacionet e saja amerikane, përndryshe aplikacioni do të ndalohet plotësisht në SHBA.
- Post By Fami Bajrami
- 12:13, 20 gusht, 2025
Uashington, 20 gusht 2025 (MIA) - Shtëpia e Bardhë ka hapur një llogari zyrtare në TikTok, ndërsa afrohet afati i ri për kompaninë ByteDance për të shitur operacionet e saja amerikane, përndryshe aplikacioni do të ndalohet plotësisht në SHBA.
Videoklipi i parë i publikuar përmbante momente nga paraqitjet publike të presidentit Donald Tramp i cili deklaron: "Unë jam zëri juaj", raporton DPA.
ByteDance me seli në Kinë ka qenë prej kohësh nën kritika në SHBA për shkak të frikës se të dhënat personale të qytetarëve amerikanë mund të përfundojnë në duart e autoriteteve kineze. Një pikë kyçe e kontestit është algoritmi i TikTok-ut i cili përcakton se cilat video do t'u shfaqen përdoruesve. Kritikët paralajmërojnë se Pekini mund ta përdorë algoritmin për të ndikuar mbi opinionin publik në SHBA, gjë që TikTok-u dhe ByteDance e kanë demantuar vazhdimisht.
Ligjin që vitin e kaluar e nënshkroi presidenti i atëhershëm Xho Bajden parasheh që ByteDance të tërhiqet nga tregu amerikan ose TikTok-ut të ndalohet. Trampi i cili zëvendësoi Bajdenin disa herë e ka vazhduar afatin për shitjen. Zgjatja më e fundit ishte më 19 qershor, kur dha edhe 90 ditë të tjera. Edhe pse ligji lejon vetëm një zgjatje, deri më tani shitja nuk është realizuar.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trampi duke kërcënuar tentoi të imponojë shitjen e TikTok-ut, por gjykatat amerikane e bllokuan. Tani kur ligji ofron një bazë më të fortë ligjore për ndalesë, ai ndryshoi qasjen e tij dhe po e përdor platformën si një mjet për fushatë, veçanërisht për të prekur deri te të rinjtë dhe për të forcuar kandidaturën e tij për hyrje të sërishme në Shtëpinë e Bardhë, shkruan DPA.
foto: arkivi