Shqipëria me numrin më të madh të të burgosurve në 100 mijë banorë në rajon
- – Në Shqipëri burgjet janë të stërmbushura, në krahasim me pjesën më të madhe të Evropës, njoftuan mediat.
- Post By Fitore Curri
- 21:05, 6 maj, 2025
Tiranë, 6 maj 2025 (MIA) – Në Shqipëri burgjet janë të stërmbushura, në krahasim me pjesën më të madhe të Evropës, njoftuan mediat.
Sipas të dhënave të fundit të Eurostat-it, Shqipëria është në vendin e katërt në Evropë për nga numri i të burgosurve në 100.000 banorë në vitin 2023, me normë prej 182. Ky numër është dukshëm më i lartë se mesatarja në Bashkimin Evropian, e cila ishte 111 të burgosur në 100.000 banorë.
Në vitin 2023 në Shqipëri ka pasur 5017 të burgosur.
“Eurostati bëri llogaritjen duke përdorur të dhëna të vjetra të popullsisë, pra 2,75 milionë banorë. Nëse marrim parasysh të dhënat nga regjistrimi i vitit 2023, kur të dhënat zyrtare konfirmojnë 2,42 milionë banorë, numri i të burgosurve është 207 për 100 mijë banorë”, analizon “Monitor”.
Nëse merren parasysh këto të dhëna, Shqipëria është në vendin e dytë në Evropë pas Turqisë (342 të burgosur në 100.000 banorë), duke e lënë pas vetes Poloninë (203) dhe Hungarinë (187).
Shqipëria është rekorder në rajon, ndërsa pastaj vijojnë Serbia (158), Mali i Zi (166) dhe Maqedonia e Veriut (146). Në Kosovë ka më pak të burgosur në raport me popullsinë, rreth 100 të burgosur në 100.000 banorë. fc/
Foto: Sajti Burgu Fushë Krujë