Shqipëria dhe EBA nënshkruan marrëveshje për formimin e kompanisë së përbashkët për prodhimin e rrymës
- - Gjatë zhvillimit të COP29, në Baku, Azerbajxhan, u nënshkruan dy marrëveshje mes Albgazit dhe Socar për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës si dhe mes KESH dhe gjigandit energjetik të Emirateve të Bashkuara, Masdar, për krijimin e kompanisë së përbashkët publike që do të investojë në Shqipëri e në rajon.
- Post By Fitore Curri
- 11:57, 13 nëntor, 2024

Tiranë, 13 nëntor 2024 (MIA) - Gjatë zhvillimit të COP29, në Baku, Azerbajxhan, u nënshkruan dy marrëveshje mes Albgazit dhe Socar për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës si dhe mes KESH dhe gjigandit energjetik të Emirateve të Bashkuara, Masdar, për krijimin e kompanisë së përbashkët publike që do të investojë në Shqipëri e në rajon.
Siç njofton ATSH, kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga nënshkrimi i këtyre dy marrëveshjeve.
“Sot në Azerbajxhan ku nënshkruam memorandumin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Albgazit dhe kompanisë shtetërore të naftës në Azerbajxhan, SOCAR, për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës dhe marrëveshjen e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) dhe gjigandit energjetik të Emirateve të Bashkuara, Masdar, për krijimin e kompanisë së përbashkët publike që do të investojë në Shqipëri e në rajon në mjediset e Samitit Botëror për Klimën, Cop 29”, shkroi Rama në rrjetet sociale.
Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u takuan sot me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ku nënshkruan edhe memorandumin e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Albgazit dhe kompanisë shtetërore të naftës në Azerbajxhan, SOCAR, për zhvillimin e infrastrukturës së gazifikimit të qytetit të Korçës.
Sa i përket nënshkrimit të marrëveshjes mes Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare(KESH) dhe gjigandit energjetik të Emirateve të Bashkuara, Masdar, për krijimin e kompanisë së përbashkët publike që do të investojë në Shqipëri e në rajon, Zëvendëskryeministrja Balluku u shpreh se është një nga më të rëndësishmet në sektorin energjetik me ndikim të gjerë në rajon. fc/
Fotografia: Rama në Fejbuk