• e hënë, 23 dhjetor 2024

Shqipëria anëtare e Këshillit për të Drejtat e Njeriut në KB

Shqipëria anëtare e Këshillit për të Drejtat e Njeriut në KB

Tiranë, 11 tetor 2023 (MIA) - Shqipëria është zgjedhur si anëtare e Këshillit për të Drejtat e Njeriut në KB për periudhën 2024-2026.

Pas votimit, me 123 vota "për" në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së, Shqipëria për të dytën herë po bëhet anëtare e këtij Këshilli. 

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, duke theksuar se Shqipëria ka ndërmarrë edhe një rol ndërkombëtar. 

"Shqipëria ulet në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB. Dje, 123 vende anëtare të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së votuan Pro Shqipërisë si një prej 15 vendeve që do të ulen në KDNJ nga 1 janari 2024 deri në 31 dhjetor 2026", shkroi Rama në Fejsbuk.
 

Përmes një publikimi në rrjetin social X reagoi edhe ministri i Evropës dhe Punëve të Jashtme, Igli Hasani, të cilën e vlerësoi si arritje të madhe të politikës shqiptare dhe diplomacisë së jashtme. 

"Një tjetër demonstrim i besimit nga vendet anëtare të KB-së për rolin e Shqipërisë në çështjet ndërkombëtare. Këtë herë tërësisht të përkushtuar ndaj mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut kudo dhe për këdo. Synimi kryesor i Shqipërisë, si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut, do të jetë të punojë brenda Këshillit dhe sistemit të Kombeve të Bashkuara për të garantuar respektimin universal të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore për të gjithë individët pa diskriminuar askënd", shkruan Hasani.

Ai shtoi se vendi bashkëpunon ngushtë me vendet e tjera anëtare të KB-së, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të gjithë partnerëve për zbatimin e këtyre detyrimeve. 

Këshilli, i cili është i ngarkuar me përgjegjësinë për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e njeriut në nivel global, përbëhet nga 47 shtete anëtare të zgjedhura me votim të fshehtë nga shumica e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme. fc/

Fotografia: Fejsbuk

QËNDRONI TË LIDHUR